Vrasjet dhe Mizoritë e “Kishës Ortodokse” Serbe

Shkruan: Besim Kuçi

Të dhënat historike tregojnë se ilirët ishin bartësit kryesorë të fesë së krishtere në Ballkan. Edikti i Milanos 313, i lëshuar nga Perandori ilir i Perandorisë Romake- Konstantini i Madh, lejoi akrishterimin të ushtrohet brenda Perandorisë. Ky akt  rezultoi ne vitet në vijim, që në Dardani krishterizmi të marrë përmasa mjaftë të mëdha, numri i ipeshkvijve kishte arritur në shtatë syresh.

Pastaj Perandori Justinian, e shndërroi Dardaninë në qendër akoma më të madhe kishtare, duke e favorizuar atë, ngase ishte  vendlindja e tij, që atëbotë e quajti Justiniana Prima, e cila përfshinte territore të shumta edhe përreth Dardanisë, respektivisht Kosovës. Së këndejmi Kisha e Dardanisë, do të bëhet një element i fortë krishterizues edhe për sllavët e ardhur nga përtej Karpateve. Të cilët pasi u vendosën në trojet tona si ardhacakë, filluan ta pranonin krishterimin, pra nga dardanët respektivisht arbërit (paraardhësit e shqiptarëve të sotëm). Me pranimin  e krishterimit gradualisht ata filluan t’i përvetësonin edhe monumentet fetare autoktone.

Se si u përvetësuan Kishat Ilire apo Arbërore (që u ndërtuan në kohën e sundimit romak e bizantin) nga serbët tregojnë burime të shumta historike. P.sh. themelet e Manastirit të Deçanit, të Graçanicës, të  Kishës së Zojës Prenë në Prizren, të Patrikanës së Pejës, të Kishës së Shën Shtjefnit në rrethinën e Mitrovicës, të cilat sot janë përvetësuar nga “Kisha Ortodokse” Serbe, janë shumë më të moçme se ardhja e serbëve. Manastiri i Graçanicës është ndërtuar  mbi themelet e një bazilike dardane të ndërtuar midis shek. VI e IX, kurse ky manastir u ndërtua mbi ato themele  rreth vitit 1316 nga mbreti Milutin, i cili ishte i njohur për krimet dhe terrorin që kishte ushtruar ndaj arbërve, busti i të cilit u vendos në Graçanicë vitin e kaluar, kurse në vendosjen e të cilit morën pjesë politikanë serbë nga Serbia dhe Kosova. Histori të ngjashme kanë edhe kishat e manastiret tjera  serbe.

Dobësimi i herëpashershëm i autoritetit bizantin rezultonte me fuqizimin e feudalëve dhe mbretërve të vetëshpallur në territoret e shumta të saj, siq ishte rasti me ngritjen e shtetit të Rashës në fund të shek shek XII, i cili pastaj filloi të zgjerohej drejt tokave arbërore në fillim të shek XIII, duke pasur si instrument të fuqishëm “Kishën Ortodokse” Serbe e cila u bë e pavarur në vitin 1219. Pushtimet sollën të këqija të shumta popullsisë autoktone arbërore. Vrasjet, dhuna terrori ndaj popullsisë arbëreshe bëhej me bekimin e “Kishës Ortodokse” Serbe. Kurse në Librin e shenjtë të të krishterëve Bibla, thuhet: “Zoti urren… duart që derdhin gjak të pafajshëm…”(Fjalët e Urta 6:17). Së këndejmi vie në pikpyetje edhe misioni fetar i kësaj kishe. Ajo kishte shkelur një nga parimet bazë të krishterimit, duart e saj derdhnin gjakun e të pafajshmëve.

Perandori Stefan Dushani (Nemanja), si zakonisht me bekimin e “Kishës Ortodokse” Serbe, kishte ndërmarrë fushata të ashpra ushtarake kundër kaltolikëve arbërorë. Edhe pse në kushte të tilla, arbërit, i bënë qëndresë të vendosur pushtimit dhe shtypjes së Nemanjidëve. Dëshmi për përvetësimin e kishave katolike arbërore nga serbët si dhe për dhunën dhe terrorin serb ndaj arbërve katolikë janë letrat e Papës Klementi VI dërguar Stefan Dushanit më 1346 në të cilat kërkonte të liroheshin kishat katolike arbërore të uzurpuara nga mbretërit e Rashkës (Serbisë), po ashtu edhe në të ashtuquajturin Kodi i Dushanit i vitit 1349, sipas të cilit përndiqeshin si heretikë katolikët arbërorë. Arbërit katolikë kishin filluar të konsolidoheshin tek pas vitit 1372 kur rajonin arbëror të Kosovës (Dardanisë) e marrin nën sundim familja bujare e Balshajve të Shkodrës, të cilët menjëherë filluan rehabilitimin e popullsisë të stërvuajtur nga sundimi mesjetar serb, rehabilitim që nuk zgjati shumë ngase këto troje filluan të pushtoheshin përsëri nga një armik po aq i tmerrshëm e mizor, kjo ishte Perandoria Osmane.

Kishat që serbët i përvetësuan gjatë periudhës së mesjetës u përdorën si mjet i politikës dhe propagandës serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, edhe pas ripushtimit të saj më 1912. Shumë vrasje janë kryer në “Kishat Ortodokse” serbe, si p.sh. rasti i vrasjes së 115 shqiptarëve në mars e prill të vitit 1913 në Kishën e përvetësuar nga serbët në Kabash të Prizrenit. Shqiptarët kanë përvojë të hidhur me këtë “kishë”, sepse nuk funksiononte si vend për lutje, udhëzim e mëshirë por ishte instrument i vazhdueshëm i dhunës dhe politikës shoveniste të Serbisë. Andaj emri “Kishë Ortodokse” Serbe nuk përkon me misionin e një kishë të zakonshme ortodokse. Sepse fjala kishë- nënkupton ndërtesën ku bëhen lutjet fetare të të krishterëve për Zotin, mëshirën, faljen etj. kurse fjala“ortodoks” (ortos-i drejtë, i vërtetë; doxa-opinion) ka kuptimin e fjalës “i/e vërtetë”. Pra misioni i “Kishës Ortodokse” Serbe ishte në kundërshtim të thellë me rregullat dhe parimet e ortodoksizmit. Andaj parimisht nuk mund të quhet as Kishë dhe as Ortodokse. Emërtimi më i qëlluar do të ishte Feja Serbe apo institucioni fetar serb i ashtuquajtur “Kishë Ortodokse” Serbe, andaj edhe kam thonjëzuar vazhdimisht togfjalëshin “Kishë Ortodokse” Serbe për të vënë në pah falsitetin e saj.

Nga ky përshkrim shumë i shkurtër për të Bëmat e “Kishës Ortodokse” është plotësisht i justifikueshëm kundërshtimi i përfundimit punimeve në një “Kishe Ortodokse” Serbe në hapsirën e Universitetit të Prishtinës. U ndërtua në kohën e pushtimit klasik serb të Kosovës, pushtim të cilin e kishte kundërshtuar fuqishëm bashkësia ndërkombëtare. Kjo “kishë” gjithmonë mban të freskët në kujtimet tona dhunën dhe terrorin sistematik te Serbisë ndaj shqiptarëve. Kurse përkrahja për këtë “kishë” nga disa prej udhëheqësve të Kosovës është e habitshme.

Ajo që më së shumti kanë nevojë shqiptarët është informimi i drejtë dhe i vazhdueshëm për të vërtetën, ajo duhet të na shërbejë për një ndërgjegjësim të duhur kombëtar. Nuk duhet ta harrojmë të kaluarën tonë, ngase përvoja ka treguar se kushdo që nuk ka mësuar nga e kaluara ka qenë i detyruar ta përsërisë atë. Kurse e kaluara zakonisht është tragjike!