Suharekasi Arbër Bullakaj me mandat të dytë në Asamblenë e qytetit Wil – Zvicër

Me 1475 vota, ai ka arritur rezultatin e dytë më të mirë për partinë Socialdemokrate (SP) në Asamblenë e Wilit

Politikani i ri, tashmë i njohur shqiptarozviceran, Arbër Bullakaj është zgjedhur edhe për një mandat katërvjeçar këshilltar në Asamblenë e qytetit Wil, St. Gallen.

Arbër Bullakaj në këtë post ka qenë që nga viti 2012 ndërsa në zgjedhjet qëu mbajtën sot, ai ka arritur të fitojë sërish besimin e qytetarëve të cilët ia kanë dhënë votën.

Me 1475 vota, ai ka arritur rezultatin e dytë më të mirë për Partinë Socialdemokrate (SP) në Asamblenë e Wilit.

“Jam zgjedhur sërish dhe me këtë fitoj të drejtën që të angazhohem edhe katër vite të tjera për Wil-in. Gëzohem shumë dhe ju falemnderit për votat Tuaja”, shkruan Bullakaj në llogarinë e tij në facebook.

Arbër Bullakaj ka kandiduar vitin e kaluar edhe për zgjedhjet në nivel të Kantonit dhe në ato në nivel nacional. Ai ka pasur rezultatin më të mirë në mesin e një numri të konsiderueshëm të pjesëmarrësve me rrënjë shqiptare në zgjedhjet e fundit nacionale, rezultat ky që megjithatë nuk pati mjaftuar për t`u zgjedhur deputet nacional.

Po ashtu Bullakaj njihet për angazhimin e tij të madh në integrimin e të huajve, në qytetin ku jeton, në kanton e më gjarë. Është bashkëthemelues i shoqatës së Wil-it “Fair-Wil” për integrim, kryetar i së cilës ka qenë nga fillimi. Albinfo.ch ka ndjekur në vazhdimësi zhvillimin politik të politikanit tër ri por të profiluar.