Shtrohet Rruga, Zhduken Varret

Suharekasi Fadil Gashi thotë se gjatë shtrimit me kubëza të një rruge rreth varrezave janë zhdukur varret e dy familjarëve të tij. Ai thotë se nuk është kundër rregullimit të infrastrukturës por nga Komuna kërkon të dijë vetëm ku janë eshtrat e motrës dhe gruas së axhës.

Fadil Gashi është befasuar dhe tronditur natën e Kurban Bajramit kur ka parë se varri i motrës dhe ai i gruas së axhës nuk ekzistonin më.

Dy varret, sipas Gashit, ishin zhdukur gjatë punimeve të realizuara nga Komuna e Suharekës për shtrimin dhe zgjerimin e një rruge që është afër varrezave.

Ndonëse kanë kaluar 10 ditë, Fadil Gashi ende nuk e di ku janë eshtrat e dy familjarëve të tij.

E kjo situatë e ka prekur shumë atë, duke pasur parasysh se ai gjatë luftës së fundit ka të humbur edhe 12 familjarë të tjerë.

“Ajo që nuk ka ndodhur më 1999, ka ndodhur tash. Hiqen varrezat, mos të dihet ku janë, se na nuk mundem me i rujtë varret. Nëse e kishim ditë që është dashur me i rujtë, i kishim rujtë edhe vorrin. Nuk them se është bërë qëllimisht, por neve na ka prekë emocionalisht si familje humbja e eshtrave, se ne kemi 12 të vrarë në luftë…”, thotë ai.

Fadil Gashi tregon vendin ku kanë qenë varret. Ajo pjesë është shtruar me kubëza nga Komuna.

Gashi thotë se e ka diskutuar këtë çështje me kryetarin Asllanaj dhe me drejtorin e Shërbimeve Publike, Nexhat Ramadanin, por se nuk është pritur mirë nga ata.

KALLXO.com provoi të kontaktojë kryetarin Sali Asllanaj, por zëdhënësi i Komunës Reshat Reshitaj tha se për shkak se është i zënë me takime kryetari nuk mundet të përgjigjet.

Fadil Gashi thekson se Komuna e ka ditur që në këtë pjesë ka varreza dhe është dashur t’i njoftojë familjarët për punët që do të realizoheshin aty.

“As nuk më ka njoftuar me shkrim, as me gojë, as takime, asnjë element, asnjë element të komunikimit që ekziston, nuk e kanë bërë”, thotë ai.

KALLXO.com kontaktoi edhe drejtorin e Shërbimeve Publike, Nexhat Ramadanin, i cili përmes telefonit tha se në momentin që kanë marrë shqetësimin e qytetarit i kanë ndalur punimet dhe se nesër do të dalin në terren për të verifikuar nëse aty ka pasur varre.

“Kur ia kemi nisur kubëzimit të rrugëve, nuk kemi parë që ka pasur varreza, pasi traseja e rrugës vetëm ka qenë ashtu siç është duke u kubëzuar”, tha drejtori Ramadani.

Ndërsa, Alush Shala nga partia opozitare PDK tha për KALLXO.com se nëse Komuna ka kubëzuar rrugën mbi varreza dikush duhet të japë përgjegjësi dhe të dalin para organeve të drejtësisë.

“Unë kërkoj nga institucionet komunale dhe përgjegjësit nëse këto gjëra më të vërtetë kanë ndodhur dhe janë të vërteta, përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe të përgjigjen për aktin”, tha ai.- shkruan Qazim Hasanaj për kallxo.com