Shkruan: Prof. Besim Kuçi

(verba volant, scripta manent)

Pjesa më e madhe e të kaluarës së shoqërisë njerëzore shquhet me zhvillime të determinuara nga botëkuptime që kanë të bëjnë me mënyrën e të besuarit në fuqitë mbinatyrore respektivisht frikën prej tyre dhe pikpamjet për  jetën tjetër apo për jetën pas vdekjes, e cila qoi në krijimin e qindra religjioneve. Kjo gjendje shpirtërore përveç se ka qenë impenjim jetësor i njerëzimit ka pasur rol dominues edhe në jetën politike. Ndikimi ka qenë jashtëzakonisht i ndërsjellë, kur masat e gjera  mund të përcaktonin rregullimin politik shtetëror kurse vet  shteti  pastaj duke u “rregulluar” sipas mentalitetit të shumicës dhe me qëllim të shfrytëzimit të saj, “amandamentonte” rregulla të reja fetare, duke e futur popullin në rrugët e trasuara prej tij dhe në të njejtën kohë konsolidonte  edhe më tutje pushtetin e vet .

Majkëll Hart (Michael Hart) do t’i “fajësonte” çifutët për shpikjen e monoteizmit nga i cili dolën krishterizmi dhe islami me rregulla dhe principe afërsisht të njejta, me dhe për qëllime politike, skajshmërisht të kundërta me njëra tjetrën. Një politolog do t’ia linte fajin ambicjeve politike, qofshin të drejta ose jo, të udhëheqësve të caktuar për shpikjen e religjioneve monoteiste respektivisht për manipulimin me to, të realizimit të qëllimeve përsonale dhe kombëtare (Moisiu shpëtoi popullin e Izraelit nga skllavëria e faraonit, Muhamedi bashkoi  dhe fuqizoi kombin e përçarë arab, kurse sundimtarët mesjetarë evropianë instrumentalizuan krishterizmin për të konsoliduar pushtetin e tyre).

Në kohën e mesjetës kur shteti dhe feja përbënin pushtetin, jeta e banorëve ishte e rëndë, ngase mungonin liritë njerëzore dhe barazia para ligjit. Pushteti ishte ose i trashëgueshëm ose mungonte e drejta e të gjithë qytetarëve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Poashtu e drejta e gruas ishte e mohuar në shumë sfera të jetës politike dhe ekonomike. Nuk lihej gjë pa u shpikur për të përligjur pushtetin e sundimtarëve, madje ata shkuan aq larg sa i pajisen sundimtarët me të shtuquajturën të “drejtë hyjnore” për të qeverisur .

Thënien e Jezu Krishtit: “jepni Cezarit çka i takon Cezarit dhe jepni Zotit çka i takon Zotit”  shumë të krishterë sot e interpretojnë si një gjendje ku feja duhet të jetë e ndarë nga shteti. Me ose pa dijeninë e sundimtarëve evropianë për këtë thënie, ata filluan ta zbatonin, por vetëm pas një kohe të gjatë. Ndarja e shtetit nga feja, sidomos gjatë mesjetës së vonë dhe kohës moderne po fillonte të bëhej dukuri në Evropë. Madje edhe kur botëkuptimet shtetërore binin ndesh me ato fetare, sundimtarët mbanin anën e shtetit. Kardinali Rishelje, i cili ishte edhe kryeministër i Francës, ndihmoi protestanët gjermanë gjatë luftërave fetare 30 vjeçare(1618-1648) në Gjermani, të cilat u zhvilluan kundër katolikëve poashtu gjermanë. Edhepse vet Risheljeu ishte katolik, arësyetonte: “unë edhepse po bëj mëkat duke ndihmuar protestanët, megjithatë do të mund të gjej përsëri shpëtimin në botën tjetër, kurse shtetit njëherë i vjen mundësia për shpëtim” ; venedikasit pasi u akuzuan për tradhti ndaj krishterizmit duke ndihmuar Perandorinë Osmane kundër Skënderbeut, do të deklaroheshin:  “ ne së pari jemi venedikas pastaj të krishterë”. Ka edhe shumë shembuj tjerë në Evropë të përplasjes së botëkuptimeve fetare me interesat shtetërore, nevoja për një ndarje ishte bërë e dukshme.

Vulën  përfundimtare “divorcit” të fesë me shtetin ia dhanë amerikanët me Kushtetuten e vitit 1787, e cila është në fuqi edhe sot e kësaj dite. Në themel të së cilës janë të drejtat dhe liritë e njeriut si dhe barazia e të gjithë qytetarëve para ligjit. Me siguri këtë gjë nuk do të mund ta arrinin amerikanët pa ndihmën e filozofëve dhe dijetarëve evropianë, që jetuan në mes të shekujve XVI e XVIII, Hobsit (Thomas Hobbes), Llokut (John Locke), Rusoit(Jean-Jacques Rousseau), Monteskieut (Montesquieu) e Volterit (Voltaire) pjesëza nga botëkuptimet e të cilëve i gjejmë në kushtetuten amerikane ,e cila pastaj ndikoi fuqishëm në përhapjen e demokracisë dhe kapitalizmit nëpër botë, duke çrrënjosur përfundimisht feudalizmin dhe botëkuptimin mesjetar për jetën dhe shtetin.

Hobsi  insiston se na duhet një ligj i përbashkët, i dëshiruar nga të gjithë, të cilit i binden të gjithë pa përjashtim, pasi te ai gjejnë mbrojtje për jetën dhe të mirat, si dhe siguri për dëshirat e tyre, Natyra është vendi i barazisë së të drejtave, sepse, sipas Llokut, Zoti i ka krijuar njerëzit të barabartë (do ta hasim këtë pohim, fjalë për fjalë, te Deklarata e Pavarsisë në Amerikë). Monteskjeu e dha i pari konceptin e ndarjes së shtetit në tri pushtete: gjyqësorin, legjislativin dhe ekzekutivin, duke potencuar vazhdimisht ndërveprimin e tyre dhe mbikqyrjen e secilit nivel pushteti për nivelin tjetër. Rusoi potencon se  burimi i ligjshmërisë së pushtetit vjen nga “sovraniteti i popullit”, pra populli është sovrani e jo sundimtari. Volteri,  iluminst dhe veprimtar i devotshëm i ndarjes së shtetit nga feja, i cili i besonte Zotit por jo përmes fesë, pohonte se “të gjithë njerëzit duhet t’i trajtojmë si vëllezër, a nuk jemi secili prej nesh krijesa të të njejtit Zot”?

Herakliti do t’i quante përpjekjet për mosndryshim si të kundërshtueshme me ligjet e natyrës, sepse sipas tij bota funksionon vetëm si rezultat i lëvizjes dhe ndryshimit të përhershëm. Platoni do të ishte ndjerë i mrekulluar për ndikimin  vendimtar të ideve filozofike në mënyrën e qeverisjes. Thënia e Aristotelit se “Tërësia është më e rëndësishme se pjesa”, po bëhej realitet ndërsa Sokrati poashtu do të lumturohej për shkak se “padija po humbet betejën”. Në shumicën e rasteve filozofët dhe dijetarët u persekutuan për mendimet dhe qëndrimet e tyre, kur idetë e tyre racionale po fillonin të zbatoheshin dhe po delnin si shumë të qëlluara, pastaj emrat e tyre u gdhendën me shkronja të arta dhe u bënë të paharruar ashtu si idetë e tyre, me qëndrueshmëri afatgjate.

*

*             *

Ndarja e fesë nga shteti ndikoi fuqishëm në avancimin dhe përparimin e njerëzimit. Shembullin e kësaj dukurie mund ta gjejmë në SHBA dhe Evropë. Të cilat pastaj ndikuan edhe në shumë vende e popuj tjerë të botës që të pranonin sistemin e tyre politik dhe ekonomik, duke respektuar skajshmërisht të drejtat e njeriut që rezultoi me përmirësimin e kualtetit të jetës së qytetarëve në përgjithësi .

Sot avancimi i teknologjisë na ka mundësuar që të jemi të informuar, edhe në kohë reale, për zhvillimet e përditshme në të gjithë rruzullin tokësor. Ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme, po e tronditë njerëzimin. Skenat rrënqethëse të luftës në Siri dhe rreth saj, vargu i pafund i refugjatëve sirianë dhe tragjeditë që po i përcjellin ata, janë bërë përditshmëri e trishtueshme e edicioneve informative. Këto zhvillime kanë ngritur një habi të përgjithshme pse- luftë në mes të pjesëtarëve të të njjtës fe!?. Një historian mbase do t’i pëlqente të spjegonte se << po ndodh e njejta gjë që ndodhi në Evropë, para 400 vitesh>>, kurse gjasat për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme janë të vogla pa ndarjen përfundimtare të shtetit nga feja.  Mishërimi i ligjeve fetare me ligje shtetërore siq po shifet nga e kaluara dhe nga e sotmja po shkaktuakan luftëra të përgjakshme. Ngase si të tilla duke qenë konstante dhe të pandryshueshme ato bijnë ndesh me ndryshimet e shpejta që e përcjellin shoqërinë  njerëzore.

Vitet e pasluftës vendin tonë e karakterizuan me zhvillime të llojllojshme. Pjesë e konsiderueshme e këtyre zhvillimeve janë edhe përpjekjet e shoqatave dhe organizatave të ndryshme fetare për të ushtruar ndikimin e vet kulturor dhe politik. Përfaqësuesit e këtyre shoqatave kanë filluar një qasje të re madje edhe të rrezikshme të përhapjes së fesë, duke mos lënë metodë pa përdorur për të arritur qëllimet e tyre. Karta sociale siq po duket, ka qenë dhe vazhdona akoma të mbetet me efikase. Pra shfrytëzimi i gjendjes së rëndë sociale. Brengosës është fakti se një numër i dukshëm i qytetarëve  të trojeve shqiptare janë veshur me “rroba arabe” dhe po përpiqen që përmes përhapjes së një doktrineje të re fetare radikale, të minojnë interesat dhe të ardhmen evropiane të shqiptarëve. Ata kanë shkuar aq larg sa njëri prej tyre me emrin Fuad Ramiqi në një debat televiziv shprehte hapur dëshirën e tij apo të financuesve të tij për një Republikë Islamike në Kosovë. Qëndrimet dhe aktivitetet e tilla në trojet tona janë sa të prapambetura aq edhe të rrezikshme për procesin e konsolidimit të shqiptarëve në trojet e tyre. Islami jo-politik tradicional në Kosovë, me praktikat e veta nuk binte ndesh me interesin nacional dhe nuk qe pengesë për të fituar përkrahjen e vendeve me shumicë të krishtera të NATO-s, për ta bombarduar një shtet me shumicë të krishterë siq qe Serbia, për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga katastrofa humanitare, të cilët sipas statistikave të atëhershme 90% ishin muslimanë.

Bashkjetesa institucionale e religjionit dhe shtetit  siq po na mëson historia gjithmonë ka përcjellur dhe po përcjell njerëzimin me luftëra e tragjedi të panumërta. Vetëm ndarja e tyre dhe jetesa në mënyrë të pavarur nga njëra tjetra kanë rezultuar të sukseshme dhe kanë sjellur paqen dhe mirqenien qytetare, siq kemi  shembujt  në ShBA, Evropë e më gjerë.  Duhet të jetë përgjegjësi qytetare e kombëtare e secilit qytetar të trojeve tona që rrymat ekstreme të secilës fe apo religjion t’i trajtojmë si armike të së ardhmes së fëmijëve tanë. Ekstremizmi nuk ka vend këtu, është një agjenturë  e armiqve të kombit tonë me qëllim të regresit, denigrimit dhe përmbysjes njëherë e përgjithmonë të aspiratave tona legjitime  për drejtësi, progres dhe bashkim kombëtar. E sotmja dhe e ardhmja e kombit tonë është Perëndimi, nga bota e lindjes kemi prjetuar vetëm tmerre e tragjedi të cialt shpeshherë e vunë në pikpyetje ekzistencën e kombit tonë. Përqafimi i praktikave perëndimore për shtetin, religjionin, ekonominë,mirëqenien sociale, të drejtat e njeriut,  është e vetmja rrugë shpëtimi.