Rreth një dileme

Shkruan: Hasan Curri

Marrë shkas nga shpërndarja e një postimi të të rinjëve të PDK-së në Therandë në faqen e tyre zyrtare në facebook, në të cilin postim bëhej fjalë për arrestimin e gjashtë aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ku këta të fundit etiketohen si PRORUS kurse ‘të rinjtë’ e përcaktojnë veten si PROAMERIKAN e PROEUROPIAN, vendosa të kontribuoj sado pak me këtë opinion timin rreth sqarimit të një dileme të madhe.

PRORUS apo PROAMERIKAN?

PROKUBANEZ apo PROEUROPIAN?

Cili nga këto palë përfaqësojnë njërën e cila tjetrën?

Besoj se për të arritur te konkluzioni rreth kësaj dileme qështje të dijmë se çfarë vlerash përfaqëson të qenit PRORUS e çfarë PROAMERIKAN?

Milton Fridman është dekani i ekonomistëve të tregut të lirë.

Pas shpërbërjes së BRSS atij si një ekspert i qështjeve ekonomike i është kërkuar të komentoj rreth transformimit ekonomik. Fjalët e tij për këtë qështje janë vetëm tri: ‘privatizoni, privatizoni, privatizoni’.

Rusia e ka bërë pikërisht këtë, ajo vetëm ka privatizuar, dmth. prona ka kaluar nga menaxhimi shtetëror në menaxhim privat.

Të privatizosh do të thotë të reduktosh shtrirjen e funksioneve shtetërore. Privatizimi kërkon tregje funksionale dhe një shkallë të lartë kapacitetesh shtetërore për t’u zbatuar. Këto kapacitete nuk ekzistonin në Rusi dhe rezultati ishte që shumë asete të privatizuara nuk përfunduan në duart e sipërmarrësve që do t’i bënin produktive. Ato ndërmarrje i privatizonin njerëz me lidhje të ngushta me pushtetin. Pra, rezultati ishte, << pasuria e shtetit në duar të pushtetarëve dhe oligarkëve>>.

Pas gjithë kësaj praktike funksionimi dhe delegjitimimi të këtij lloj funksionimi shtetëror, Milton Fridman pas rreth një dekade, në një intervistë në vitin 2002 shprehet: ‘E kisha gabim’, ‘Doli se shteti ligjor është më i domosdoshëm se privatizimi’.

Ajo që është e rëndësishme këtu ka të bëjë me: A kemi këso lloj praktikash në Kosovë?

Hiç më larg se në qytetin ku jetojmë ne janë dy raste, fabrika e ballkanit dhe bodrumi i verës. Të dyja këto të privatizuara saktësisht sipas modelit rus, ku tashmë njëra është buzë dështimit e tjetra tërësisht e shkatërruar.

Drejtësia e kapur nga njerëz që tashmë e kanë integruar këtë praktikë veprimi na shpie pashmangshmërisht tek ky lloj sistemi ekonomik. ‘Bodrumi i verës’ është defuksionalizuar për shkak se nuk kemi institucione që kushtëzojnë privatizuesin rreth asaj se çfarë do bëhet me fatin e një fabrike të tillë, e këto institucione nuk janë ndërtuar pikërisht që të kenë mundësi operimi të ketij lloji.

Prandaj:

Kushdo që kundërshton këtë lloj privatizimi është PROAMERIKAN e PROEUROPIAN!

Kushdo që promovon këtë lloj privatizimi është PRORUS e PROKUBANEZ !