Rrëfimi i Nebi Morinës se si pas 17 vjetësh nuk po i gjen eshtrat e vajzës së masakruar

Kanë kaluar 17 vjet nga përfundimi i luftës, ndërsa plagët mbesin të hapur për mijëra familje të cilët nuk kanë arritur t’i gjejnë më të dashurit e tyre. Që nga vitit 1999 edhe 1650 kosovarë vazhdojnë të mbesin të zhdukur, ndërsa familjarët presin me të njëjtën përgjigje: Ku janë?.

Plagët e luftës kanë mbetur të hapura edhe për Nebi Morinën nga fshati Samadrexhë i komunës së Suharekës. Ai vazhdon t’i kërkojë eshtrat e vajzës 26 vjeçare, të vrarë në periudhën e luftës. Morina, nuk ka shuar shpresat se megjithatë një ditë do të zbardhet edhe fati i vajzës së tij.

“Vajza ime ishte masakruar nga policia serbe dhe ishte marrë nga shtëpia nga forcat serbe me 26 mars të vitit 1999. Tash e 17 vite Mevludja, vajza ime mungon. Ne nuk kemi arritur të gjejmë eshtrat e saj. Në ankth jemi gjithmonë – ditën e natën. Kah të shkojmë. Por, jetojmë me shpresë se një ditë do t’i gjejmë eshtrat e saj”, thotë Morina, citon REL.

Sot në Kosovës është shënuar Dita Ndërkombëtare për Persona të Pagjetur. Që prej përfundimit të luftës në Kosovë janë edhe 1,650 persona të pagjetur, fati i të cilëve ende nuk është ndriçuar.

Bajram Qerkini është kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës. Ai  thotë se “kjo plagë e cila është e hapur tek familjarët për 17 vite duhet të mbyllet”.

“Të gjithë ne besojmë dhe shpresojnë se kjo çështje me të vërtetë do të merret seriozisht, e posaçërisht pas konkluzave të një tryeze të djeshme ku janë dhënë disa rekomandime të cilat do t’ua përcjellim të gjithëve”, thekson Qerkini.

Në ditën Ndërkombëtare të Personave të zhdukur, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka bërë nderime dhe homazhe te përmendorja kushtuar personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. Ai tha se institucionet e Kosovës po punojnë që të zbardhet fati i të pagjeturve.

“Si president i vendit, shpreh sërish solidaritet të plotë me familjet e të pagjeturve, por njëherësh edhe zotimin dhe përgjegjësinë për të punuar edhe më tepër që sa më shpejtë të zbardhet fati i çdo të personi të zhdukur”, ka thënë presidenti Thaçi, sipas të cilit, kjo çështje mund të zgjidhet me një vullnet dhe një mbështetje të fuqishme edhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Familjarë të personave të pagjetur kanë kërkuar që të shtohet presioni mbi Serbinë me qëllim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur. Informacioni i besueshëm mbetet sfida më e madhe për ndriçimin e fatit të të pagjeturve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Adresa për të kërkuar për personat e zhdukur si pasojë e luftës, për kryetarin e komisionit qeveritar për persona të pagjetur, Prenk Gjetaj, mbetet Serbia.

“Cila është adresa për të kërkuar personat e zhdukur si pasojë e luftës dhe adresa është e njohur është Serbia, institucionet serbe, sepse ushtria serbe, policia serbe kanë bërë krime dhe kanë fshehur gjurmët e krimit dhe mendojmë se ende ka varreza masive të cilat nuk i dimë, prandaj kërkohet një presion më i madh në palën serbe”, thotë Gjetaj.

Ndryshe, gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998-1999) janë zhdukur afër katër mijë qytetarë të Kosovë. Më shumë se dy mijë prej tyre janë identifikuar nëpër disa varreza masive në Serbi, si në Batajnica, Bajna-Bashta, Peruçac, në lumin Danub, etj, dhe janë riatdhesuar në Kosovë me ndihmën e bashkësisë ndërkiombëatre.

Trupat e atyre që janë gjetur në Serbi i kishin bartur forcat serbe të regjimit të Millosheviqit në përpjekje për t’i fshehur gjurmët e krimit. Për këto krime deri më tani janë dënuar disa gjeneralë dhe ish-politikanë serbë nga Tribunali Penal i Hagës për krimet në ish-Jugosllavi.