Revolucioni i Gjelbër

Shkruan Hasan Curri :

Tradicionalisht kemi qenë të njohur nga viset tjera anë e mbanë Kosovës, si një vend që merret me kultivimin e shumë kulturave bujqësore duke filluar nga qepa, qepujka, lakra, speci e deri tek rrushi. Qytetarët Therandas ‘pushtonin’ tregjet e qyteteve tjera duke plasuar produkte cilësore e rendiment shumë të lartë. Sot kemi një transformim të këtij fakti.

Nëse fillojmë dhe vrojtojmë fshatrat e komunës sonë se sa tokë është e punuar, atëherë me një vlerësim të hamendshëm mund të konkludojmë se toka jonë është gjysmë e papunuar. Në 41 fshatra kjo gjendje është përafërsisht e njejtë, duke filluar nga Samadraxha, fshat i cili kufizohet me komunën e Rahovecit e deri në fshatrat që kufizohen me komunën e Prizrenit mund të shohim djerrina të pa numërta. I shtojmë kësaj edhe faktin se shumë nga to tani janë të destinuara për ndërtimin e shtëpijave, psh. në vendin e quajtur ‘Rrafshi i Studençan-it’, nga një tokë super cilësore e shndërruar në një kompleks shtëpish dykatëshe. Besoj se kjo gjë për shumë njerëz përbën shqetësim.

Mirëpo ajo që duhet të dijmë është se a merr ndokush përgjegjësi, ka ndonjë institucion që bën planifikim të kësollojshëm, apo sa i përket këtij aspekti jemi në anarki dhe ‘pa zot shpie’.

Mbamendja ime mund të shkoj deri në dy ekzekutivet e fundit. Të gjithë ne jemi dëshmitarë të asaj se paratë nga taksat tona kanë shkuar pothuajse vetëm në infrastrukturë rrugore dhe paga për nëpunës e personel komunal. Një buxhet i tërë për të ndërtuar asfalt e për të shtruar kubëza. Ta mendojmë njëherë, po mos të kishim remitancat e diasporës, ç’do na duheshin rrugët?, sigurisht se rrugët na duhen, por  pse çdo pushtet duhet të bëj rindërtimin e të njejtave rrugë?! Besoj se dhe këtë e dijmë!

Për ta ndryshuar dhe për ta destinuar buxhetin nga një buxhet vetëm për asfalt në një buxhet i cili do bënte ‘Revolucionin e Gjelbër’ duhet ndryshim i këtij lloji të qeverisurit dhe i këtij lloj mendimi, le të themi të stërvjetëruar.

Figurat ‘historike’ rreth të cilëve sillet fati ynë duhet të hapin rrugën, në mënyrë që t’i lënë hapsirë promovuese ideve dhe njerëzve të rinj, atyre që politikën e shohin si mjet për të konsoliduar të mirën publike e kurrsesi të veprojnë si vampirë në trupin e saj ekonomik.

Simbolika e gjethes së rrushit në logon e Komunës së Therandës nuk është e përzgjedhur rastësisht, ajo shpjegon potencialin e zhvillimit bujqësor, konkretisht kulturës së rrushit.

Ne nuk njihemi për zhvillim industrial, të paktën jo sot, nuk njihemi as për turizëm, bujqësia është rruga pothuajse e vetme e mirëqenjes sonë lokale. Këtë që unë e them e konfirmon edhe koncentrimi i popullsisë Therandase, ku përafërsisht ¾ jetojnë në zona rurale.

Personalisht konsideroj se institucionet lokale duhet ndërruar qasje. Formimi i një projekti apo strategjie afatgjate ku zhvillimi bujqësor do merrte hov do duhej bërë në disa faza, varësisht prej të hyrave buxhetore. Ndihmesa përmes këshillimit të bujqëve do ishte hapi i duhur për të reduktuar hiperprodhimin e një kulture bujqësore dhe mungesën e shumë të tjerave.
Nëse fokusohemi tek mekanizmi i cili shërben për punë atëherë do shohim se ai është i stërvjetëruar, rrjedhimisht i pa përshtatshëm për kërkesat e kohës. Dora institucionale këtu duhet patjetër të ndihet, e kjo kërkon një pragmatizëm politik mes palëve me bindje ideologjike të ndryshme, të cilat potencialisht mund të jenë menaxhues.

Garanca e plasimit të produkteve finale në një treg të sigurt, ku komuna s’do ishte spektator por një element proaktiv e cila do i jepte ndihmë bujqëve duke destinuar tregje të veçanta enkas për prodhime vendore. Kjo gjë tani ka filluar të praktikohet në një qytet ku pjesmarrës janë dhe tregtarë nga qytetet përreth.

‘Revolucionit të Gjelbër’ do i shërbente shumë edhe inkurajimi i nxënësve përmes bursave për bujqësi. Do duhej konsideruar shumë e rëndësishme që të kemi sa më shumë ekspert të kësaj fushe në mënyrë që të kemi progres në prespektivë. Pa një veprim kësisoi mendoj se është veshtirë i arritshëm kompletimi fizik e intelektual i cili i shërben këtij qëllimi.