Kosova përballë Demokratëve dhe Republikanëve

Besim Kuçi
Besim Kuçi

Shkruan: Prof. Besim Kuçi

Fitorja e z.Trump ka filluar ta ndryshojë fizionominë e gjeopolitikës botërore. Se nuk ishin të përgatitur ta pranonin liderët evropianë një gjë të tillë, ajo u pa gjatë fushatës presidenciale në ShBA, ishte e hapur preferenca e tyre për znj. Clinton. E njëjta gjë ndodhi edhe me shqiptarët anembanë trojeve të tyre. Se a e kishim luksin për të shprehur preferencat tona, publikisht, për një çështje të brendshme tek shteti shpëtimtar? Kjo u pa se ishte gabim, gabimi jonë u mishërua tek figura e Edi Ramës, i cili nuk qe në gjendje të mënjanohej nga një veprim i nxituar.Tek shqiptarët preferenca për Clintonët lidhet me ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave kriminale serbe, të cilat po shkaktonin katastrofen humanitare në Kosovë. Tashmë ajo që na intereson më së shumti, është, se si do të jetë qëndrimi amerikan karshi nesh? Sidomos pas nxitimit tonë prej adoleshenti. Në bazë të dinamikës së ngjarjeve botërore duket se shqiptarët në Ballkan nuk janë në prioritetet e politikës së jashtme amerikane, por që janë në kuadër të interesave amerikane dhe aleatëve të saj, kjo nuk vëhet në dyshim.

Qëndrimet e z.Trump, për shpenzimet e mëdha amerikane në NATO, pastaj deklarimi i tij se do të përmirësojë marrëdhëniet me z.Putin dhe që së bashku me të do ta zgjidhin krizën në Siri, ishte një mesazh i qartë për Evropën Perëndimore, se ShBA ishte “lodhur” nga multilaterizmi i demokratëve dhe se ajo ka “nevojë“ për pak  unilateralizëm, duke shfrytëzuar përkohësisht rusët. Unilateralizmin ka ndërmend ta bëjë me një njeri që në shikim të parë duket një “idhnak” i pakënaqur, me “padrejtësitë” ekonomike që i ishin bërë Amerikës “dorëlirë” nga aleatët. Për më tepër z. Trump duket si një individ që zhytet totalish në misionin e tij. Publikimi nga ana e ZFH-së (FBI) së disa informacioneve për amnestimin e z. Marc Rich nga Bill Clinton, dhe disa parregullsi lidhur emailet e znj. Clinton, në fund të fushatës elektorale, siq duket përmbysën rezultatin zgjedhor.

Deri më sot është dëshmuar se politika e jashtme e SHBA-ve nuk mund të ndryshojë çdo katër vjet, këtë e përforcojnë të dhënat e disa studiuesve, ku më i spikaturi deri më tash duket kroati Dario Malnar, i cili hedh dritë mbi shumë ngjarje që kanë të bëjnë me raportet në mes të Kosovës dhe SHBA-ve, anash nuk mbetet as Wesley Clark, si njëri nga protagonistët kryesorë të kohës së bombardimeve të NATO-s kundër forcave qeveritare serbe.

Çështja e Kosovës për herë të parë ishte ngritur në Kongres, dhe atë në vitin 1986, ku kërkohej të nxjerrej një rezolutë për të dënuar shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut ndaj shqiptarëve të Kosovës. Joseph Dioguard (republikan), Tom Lantosh (demokrat) dhe Robert Dole (republikan) i kanë propozuar shumë rezoluta Kongresit për të dënuar shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Nga kjo periudhë fillon edhe angazhimi i drejtpëdrejt amerikan në Kosovë, ndërkohë që në Shtëpinë e Bardhë qëndronte republikani George Bush (i vjetri), nën administratën e të cilit më 24 dhjetor 1992 kishte ndodhur “Paralajmërimi i Krishtlindjeve” i cili qe përsëritur edhe pas ardhjes në pushtet të Clinton-it në janar të vitit 1993, që bënte fjalë për përdorimin e forcës ushtarake amerikane, nëse në Kosovë shpërthen konflikt i armatosur i shkaktuar nga Serbia. Ndërkohë që administrata Clinton kishte deklaruar se SHBA-ja ka në dispozicion tri metoda të veprimit në politikën e jashtme: diplomacinë, sanksionet, forcën. Në realitet të tria këto parime të politikës së jashtme i kishte përdorur SHBA karshi Jugosllavisë përkatësisht Serbisë së Milosheviçit.

Ajo çka kanë premtuar presidentët amerikanë gjatë fushatave të tyre elektorale jo gjithmonë ishin zbatuar. Në fushatën presidenciale të vitit 2000, Bushi i ri kishte premtuar tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, kurse me ardhjen e tij në administratën amerikane kishte deklaruar: “me evropianët së bashku kemi ardhur, së bashku do të shkojmë”, dhe trupat amerikane vazhduan fare mirë të qëndronin në Kosovë. Madje George Bush ishte ai që në Shqipëri kishte deklaruar “enough is enough”, duke iu referuar vonesës së zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, duke përkrahur haptazi qëndrimin pro pavarsisë së saj. Me siguri do të befasohemi për të mirë edhe me z. Trump!

Donald Trump në një intervistë gjatë fushatës elektorale kishte deklaruar se kishim bërë gabim me ndërhyrjen ajrore për shkak të dëmeve kolaterale të shkaktuara nga lartësia, duke potencuar se ishte edhe një forcë tokësore që duhej konsideruar, kurse gjatë bombardimeve kishte deklaruar se do të duhej ndërhyrë me trupa tokësore për të evituar viktimat civile. Edhe Wesley Clark, ish-komandanti suprem i NATO-s, duke iu referuar përvojës jo aq të mirë në kohën e operacionit “Allied Force”, në librin e tij “Të Bësh Luftë Moderne” flet për vështirësitë e operacionit dhe ngathtësinë e ndërhyrjes së forcave të NATO-s ndaj forcave serbe në terren të cilat po masakronin shqiptarët. Ai, më kot, bënte thirrje për futjen e “apachëve” në luftë dhe ndëryrjen tokësore.

Se si do të jetë politika e Trump-it karshi Kosovës, në bazë të përvojave nga e kaluara, ajo duket e parashikueshme. Nuk do të mungojë përkrahja amerikane për Kosovën. E rëndësishme është që ne të përkrahim vetveten. Pra të varemi kryesisht nga puna dhe suksesi jonë, i cili s’po duket gjëkundi. Sidoqoftë në bazë të ngjarjeve që po rrjedhin tashmë, përafrimi i z. Trump me z. Putin nuk duhet të merret si negative, sa i përket qështjes së Kosovës. Mund të gjejnë zgjidhje duke e ndërlidhur atë me problemet në Rusi e Ukrainë, e që janë të ngjashme me Kosovën. Kurse sa i përket qëndrimit të demokratëve dhe republikanëve ndaj Kosovës, ai nuk ndryshon, së paku deri tash është dukur kështu, madje me një dozë përkrahjeje më të vendosur nga ana e republikanëve.