Komuna e Suharekës me lojë fjalësh mashtron Mushtishtin

Komuna e Suharekës javë më parë ka hapur një tender për ndërtimin e të ashtuquajturës “Qendër Turistike në Mushtisht”.

Në fakt ky tender përmbante vetëm ndërtimin e një amfiteatri. “Në këtë projekt parashihet të ndërtohet amfiteatri me sipërfaqe S-500m2 në qendër të Mushtishtit”, thuhet në njoftimin e tenderit. Ky tender është fituar nga bashkëpunim i dy kompanive NNSH  “EMSA &NNP “ EBK ”,  me vlerë 53,378.65 €.

Termi qendër turistike përmban në vete më shumë se një amfiteatër. Në ndërkohë në Mushtisht mungon një qendër e vërtetë turistike, që së paku mund të ofronte një guidë për turistët e mundshëm që kalojnë aty.

Për më tepër, në Suharekë shumë vite më parë është ndërtuar amfiteatri mbi gjimnazin “Jeta e Re”dhe ai tashmë shumë pak përdoret, vetëm gjatë aktiviteteve të Kosovo Hope gjatë verës.

Kryetari i Komunës, Sali Asllanaj ka thënë për gazetën Fjala në Prishtinë se “Kjo qendër përfshin amfiteatër veror, aktivitete kulturore duke shfrytëzuar origjinën e këngëtareve të rijnë në Mushtisht”.

Pra Komuna e Suharekës në Mushtisht po ndërton vetëm një AMFITEATËR dhe jo Qendër Turistike komplete.