Vitet e fundit në Kosovë është ngjallur fuqishëm në fushën e artit animacioni. Më me shumë famë udhëheq Festivali i Filmit të Animuar – Anibar në Pejë, por edhe në Suharekë para disa vitesh është mbajtur një edicion i veçantë i Festivalit të Filmit të Animuar – TAFF.

Këtë vit në kuadër të Festarit është futur edhe ky festival me disa aktivitete. E pamundur teknikisht dhe profesionalisht do të ishte sikur në Suharekë mos të vinte, animatori i famshëm shqiptar, Joan Zhonga.

Zhonga aktivitetin e tij sot e zhvillon në Greqi, saktësisht në televizionin publik, teksa mbi vete bart bagazhin e shumë filmave të punuar e të asistuar.

Joani, që të gjithë e thërrasin “Jani”, erdhi në Suharekë ditë më herët se sa të vinin mysafirët e tjerë, sepse natyra e punës ishte e tillë. Ai do të punonte bashkë me të rinj të Qendrës Rinore në Suharekë për të realizuar filma të animuar.

“Ideja fillimisht ka qenë me Refkiun (Gallopeni v.j.) që të bëjmë edhe disa seminare, workshope, për të mësuar të rinjtë se si realizohet një film i animuar, por unë megjithatë erdha disa ditë më herët sepse nuk bëhet një film për 5 ditë, nuk është sikur tabloja që mund të kryhet brenda ditës”, tha Zhonga në një bisedë për TherandaPost.

Filmat ishin mjaft interesant, një për Nënën Terezë, një për luftën në Kosovë dhe një tjetër për Festarin.

“Filmi për Nënë Terezën u bë pasi ishte edhe viti i shenjtërimit të saj. Ky film nuk do të bëhej sikur mos të ishte një vajzë me emrin Flutura. Ajo ka bërë punë të paparë, sepse unë nuk mund të isha në të gjitha anët”, rrëfeu Zhonga. Ai film u shfaq në natën e fundit të kolonisë së artistëve, ku fytyrat e Gonxhe Bojaxhiut, tashmë Shën Terezës, formoheshin nga copëza letrash dhe formoheshin përsëri në formë stuhie. E gjitha kjo e përcjellë nga një sfond me tekste të shkruara të Shën Terezës që këndoheshin nga Rita Ora, e 30 sekondat e fundit jehoi zëri i Shën Terezës me lutjet për popullin e saj shqiptar.

Filmi për luftën në Kosovë, edhe pse nuk u shfaq në natën e ekspozimit, për TherandaPost u paraqit me fjalë nga mjeshtri i kësaj fushe, Joan Zhonga.

“Është film pa i treguar anët kush është i keqi apo negativi. Këtë e zgjodhëm me një re të zezë. Kjo re e zezë që prish qetësinë, lojën e fëmijëve dhe të gjithë e kuptojnë se kush është reja e zezë, që i mori dritën një shekull këtij vendi, Kosovës. Më pas shfaqen ca yje dhe vjen një re e bardhë që mbulon vendin. Ka disa detaje të festës me valle gazmore dhe një lindje në fund”, kjo ishte në pika të shkurta filmi, për të cilin Joan Zhonga ka mbetur i kënaqur se si u mobilizuan edhe valltarët edhe instrumentistët që ta realizonin pa ndonjë kundërvlerë, që nuk ndodh në vendet tjera.

Reja e zezë, gjirokastritin që ka 26 vjet aktivitet në Greqi e ka përcjellë si tog fjalësh që përmban një projekt. Ai kishte filluar një film po me këtë fjalë “Reja e Zezë mbi kullën e bardhë”, para shumë vitesh por i kishte mbetur në gjysmë, për tu mos realizuar sot e asaj dite.

Ai konsideron veten me shumë fat. Kur kishte ikur nga Shqipëria kishte filluar punën në një studio e më pas në televizion për të qenë stabil në punën e tij. “Isha me shumë fat, sepse po të ikësh ato ditë nga Shqipëria e asaj kohe, e të futesh në rrjedha në Greqi, nuk ishte e lehtë. Sepse duhej të futesha në një rreth njerëzish e artistësh, që të pranojnë”.

Joan Zhonga ka parë potencial që mund të zhvillohet tek të rinjtë e Suharekës, por për këtë aktivitet duhet të organizohen punëtori.

“Duhet mësuar disa gjëra. Që një film duhet të filloj nga “A” e të vazhdojë më tej. Shpesh më thonë që t’iu ndihmojë, e kur i pyes se ku e kanë skenarin, më thonë se e kanë në kokë. Duhet të jetë i shkruar edhe plani i punës. Animacioni nuk është si film artistik, që të xhirosh e më pas monton duke marrë më të mirat”, shtoi artisti Zhonga.

Historia me gazetarin grek gjatë luftës në Kosovë

Ishte bërë një dokumentar, vetëm me pjesë që i ndihmonin propagandës kundërshqiptare gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999. Në atë kohë Joanit i kishte qëlluar të takonte atë gazetar që mbante firmën e dokumentarit dhe të shkëmbente ca fjalë.

“E takova dhe i thash: ‘ke vajt ndonjëherë në Shqipëri apo Kosovë’. Më tha që ka bërë tre filma. Ja ktheva që mund të bënte tre ose 30 filma por nëse skenarin e merr të shkruar, e të shkruar në zyrë këtu, pa qenë atje, nuk ka vlerë”, rrëfente Zhonga, teksa shtoi se dokumentari i ishte dhënë i shkruar dhe grupi i xhirimit kishte marrë vetëm atë që i kishte interesuar, jo të shihte gjendjen reale.

“A fole me ndonjë kosovar gjatë dokumentarit? Jo nuk fole. Ti vajte dhe kërkove atë që të kishin shkruar në skenar”, ishin fjalët që ia kishte drejtuar gazetarit grek, duke ia pohuar se ishin në anën e serbëve, për shkak te fesë.

Ai u largua nga Suhareka me shpresë për t’u kthyer përsëri, me punëtori dhe të ndihmojë të rinjtë.