Ja një Festar tjetër që i duhet Suharekës

Shkrim editorial i redaksisë së TherandaPost

Festa e ideuar që të jetë festë e artë, rrushit, traditës dhe e rinisë për qytetin e Suharekës, e emëruar “Festar” kishte filluar një dekadë e gjysmë më herët për të qenë një nga festat e para të këtij lloji në Kosovë.

Në momentin kur në qytetet fqinje të Suharekës festivalet po lulëzojnë, Festari ka rënë në masë drastike për ata që e kanë përcjellë nga fillimi.

Arsyeja kryesore për këtë rënie është se topi i organizimit është në fushën e pushtetit lokal. Kjo festë duhet të “privatizohet”. T’i hiqet përgjegjësia e vendimmarrjes nga Komuna e Suharekës. Komuna dhe drejtoria për Kulturë, Rini, Sport e Mërgatë duhet vetëm të mbështesë financiarisht dhe me kapacitetet në dispozicion organizimin e kësaj feste, e jo në fakt të japë urdhra se kush duhet thirrur në X organizimi e X darke, ngaqë nuk është se gjithmonë ia kanë “haberin” punëve të drejta. Festa duhet të organizohet nga shoqëria civile, artistë e grupe tjera interesi të qytetit.

Arsyeja tjetër për rënien e Festarit është mbyllja brenda vetes e kësaj feste. Festari duhet të mbledhë njerëz gjithandej që kanë një dozë “Suhareke” brenda vetes, dhe jo vetëm. Duhet të tejkalojë dallimet racore, etnike, përkatësive fetare e politike, për të dalë më mirë se të tjerët. Idetë e njëjta të festivaleve, përpos kënaqësisë së pretenduar për t’ia dhuruar banorëve të vendit ku zhvillohet festivali, kanë synim të mbushin qytetin me mysafirë, të cilët domosdoshmërisht sjellin edhe të mira materiale për bizneset në qytet.

Komuna e Suharekës gëzon faktin e binjakëzimit me tri komuna deri tash, e së shpejti edhe me të katërtën, Saranda; Lilburni e Fellbachu, respektivisht komuna Serik nga Turqia. Ky binjakëzim nuk shfrytëzohet frytshëm fare gjatë Festarit. Këtë vit vetëm një delegacion nga Komuna e Sarandës ishte në Suharekë, kurse të tjerët askush nuk ishin, ndoshta nuk kishin as ftesë zyrtare.

Mbulueshmëria mediatike për një festival është pothuajse jetike. Logo të ndryshme kanë figuruar në mesin e sponsorëve medialë, nga të cilët disa nuk kanë transmetuar asgjë, e disa vetëm një intervistë i kanë siguruar në mëngjes. Kjo arsye nuk dëshirojmë fare të tingëllojë se pse TherandaPost nuk është thirrur për t’u konsultuar, që në rastin më minimal as logo nuk do të dëshironim ta shihnim nëpër fletushka e banere, edhe pse është medie e cila ka transmetuar më së shumti lajme në lidhje me Festarin, duke përfshirë intervista ekskluzive që pasqyronin qëndrimin dhe punën e tyre në qytetin tonë.

Në vazhdën e shumë arsyeve po e rendisim si të fundit një prej tyre, por ndoshta më e rëndësishmja. Planifikimi i Festarit fillon shumë vonë, pothuajse atëherë kur vetëm duhet lidhur opingat për organizim, organizatorët atëherë fillojnë planifikimin. Në përvojat e festivaleve tjera që kemi parë e kemi pyetur nëse Festari ka përfunduar në fund të muajit shtator, atëherë planifikimi do të duhej të fillonte në dhjetor. Kjo nuk ndodh në rastin e Festarit.