Irina Hysi – tiranasja që Suharekën tashmë e ka vend frymëzimi

Irina Hysin nuk është vështirë ta vëresh që është artiste. Qoftë e artit të të shkruarit, pikturës, por ajo e shton edhe atë të fotografisë. Hysi po qëndron në Suharekë në kuadër të “Festarit”, duke nxjerrë më të mirën e saj gjatë këtyre ditëve.

Përpara se të vinte në Suharekë, rrjedhimisht në Kosovë, përshtypjet e saj kanë qenë të vogla se do ta kalonte mirë. Ato përshtypje i ishin krijuar nga njerëzit me të cilët ka qëndruar.

Ajo në një rrëfim për TherandaPost, zbraz në mënyrë shumë poetike mendimet e saj, por nuk ka ngurruar as të shkruajë një poezi, të cilën e recitoi në një mbrëmje kushtuar Shën Terezës.

Irina ka mbetur e mahnitur me Suharekën.

“Më pëlqen shumë, nuk e kam pritur që kështu do të kalojë. Falënderoj Refkiun (Gallapeni) që më ka ftuar në këtë koloni. Njerëzit janë të qetë, kalojnë rrugën në vendet e parapara, nuk ka zhurma e probleme, është qytet i mirë”, tregonte Hysi, që nuk i hiqte sytë nga piktura, ku merrej me detaje.

“Detaji nxjerr detajin”, thotë më tej Hysi, teksa pikturën, njashtu dhe poezinë, i sheh shumë interesant. “Ndihem si një grua shtatzënë e cila pret ta nxjerr fëmijën e saj dhe kështu nxjerr poezinë dhe pikturën. Nuk kam dëshirë që në fillim të më shoh dikush punën time, por kur të arrijë afër fundit, atëherë nuk e kam problem”.

Ajo ka edhe një libër të botuar, por tridhjetë të tjerë rrinë ashtu të palexuar nga askush e që presin të dalin në publik.  Ndarja mes poezisë dhe pikturës është një mision i pamundur për piktoren, poeten e fotografen nga Tirana.

“Së pari lindi dashuria, e më pas arti, por ndoshta arti nuk lindi. Ai ishte brenda”, vazhdon tiranasja që nuk përjashton mundësinë e ardhjes në Suharekë, kur ka nevojë për frymëzim.

14502122_10208496527504854_1246153667_n 14542837_10208496527464853_1765057856_n