Intervistë (EkonomiaOnline) | Sali Asllanaj flet për Suharekën e Qeverinë

Asllanaj gjatë intervistës po ashtu ka folur rreth klimën biznesore në këtë komunë, duke theksuar se po krijojnë një infrastrukturë të mirëfilltë për të përmirësuar atmosferën e biznesit.

Ai tregon se cilat masa i kanë ndërmarrë për të zvogëluar burokracinë komunale.Madje Asllanaj tregon se a ka klimë të shantazhit dhe kërcënimeve ndaj bizneseve.

Ai ka folur edhe për borxhet e mbetura dhe shlyerjen e tyre, si dhe punët që i kanë kryer kompanitë pa kontrata e me të cilat janë duke u ballafaquar me procese gjyqësore.

Po ashtu ai ka folur edhe rreth projekteve të cilat i ka kryer gjatë mandatit qeverisës, rreth të hyrave vetanake, për të cilat ka treguar se kanë ngritje nga viti në vit.

“Është fat i mirë që gjithnjë kemi pasur një rritje permanente të të hyrave vetanake, çdo vit kemi pasur ngritje diku rreth 200 – 300 mijë euro mbi nivelin e vitit paraprak. Këtë vit kemi diku 25 % më tepër të hyra vetanake se sa në vitin e kaluar”, theksoi ai.

Po ashtu Asllanaj flet edhe për dëmet e shkaktuara nga reshjet e fundit dhe si do t’iu dalë në ndihmë fermerëve me subvencione.

EO: Kryetar, cilat janë tri projektet më madhore që i keni realizuar dhe me të cilat do të mbahesh mend nga qytetarët e Therandës?

Asllanaj: Mendoj që gjithmonë, prioritet i yni ka qenë procesi i ngritjes së infrastrukturës shkollore dhe në këtë aspekt kemi pasur një rezultat mjaftë të mirë duke i falënderuar edhe kontributin e Ministrisë së Arsimit dhe me kontributin e qytetarëve të Therandës. I kemi ndërtuar dy shkolla me ndihmën e donatorëve nga Austria. Gjatë këtij afati tre vjeçar i kemi ndërtuar katër shkolla si projekte të reja shkollore. Po ashtu, edhe procesi i ujësjellësit ku është një projekte milionësh ku do të futet në menaxhim të ujësjellësit dhe të ngritët cilësia e furnizimit me ujë. Do të ndërtohen edhe katër ujësjellës të rinj ku këto janë projektet që vërehen dhe kanë ndikim më të madh.

EO: Në cilët sektorë ka nevojë të investohet më shumë?

Asllanaj: Mendoj që gjithmonë lë për t’u dëshiruar, sepse secila sferë e jetës ka nevojë për investime më cilësore. Zhvillimi ekonomik është më i dobishëm në komunën tonë. Si prioritet e kemi zonën industriale në Shirokë dhe Agro-Zonën në Samadraxhë, ku kanë filluar investimet e mëdha. Po bëjmë më të mirën për krijimin e vendeve të punës. Komuna bashkë me Ministrinë e Tregtisë ka bërë investime në Agro-zonë dhe tash infrastruktura e rrugëve, ujësjellësi dhe rryma janë në gjendje shumë të mirë dhe e jep mundësinë më të lehtë të funksionalizimin e bizneseve.

EO: Ditëve të fundit në vendin tonë ka mbretëruar kohë me riga të mëdha të shiut, sa ju ka sjellë dëme fermerëve të Suharekës. Me çka ju ka dalë në ndihmë Komuna?

Asllanaj: Këto reshjet e fundit që kishim kanë qenë mjaftë të mëdha, por për fat të mirë nuk kemi pasur dëme shumë të mëdha. Në fshatin Libishtë janë bërë ca vërshime të sipërfaqeve të mbjella me lakra dhe komisioni do të dalë dhe të bëjë vlerësimin. Komuna do t’ju dalë në ndihmë këtyre dëmtimeve të fermerëve me subvencionimin për dëmet që kanë pësuar. Nuk mund t’i subvencionojmë 100 për qind dëmet, por me një përqindje të konsiderueshme gjithmonë ju ndihmojmë atyre fermerëve të cilat pësojnë dëme nga reshjet.

EO: Gjatë këtij viti sa po flasim, sa është realizuar shkalla e realizimit buxhetor nga të hyrat vetanake?

Asllanaj: Është fat i mirë që gjithnjë kemi pasur një rritje permanente të të hyrave vetanake, çdo vit kemi pasur ngritje diku rreth 200-300 mijë euro mbi nivelin e vitit paraprak. Këtë vit jemi diku 25 % më tepër të hyra vetanake se sa në vitin e kaluar. Kjo flet për një efikasitet të mirë të inkasimit të mjeteve të taksave….

EO: Më herët komuna e Suharekës, ka pasur telashe rreth furnizimin me ujë nëpër fshatra. Ju keni premtuar se do t’u bëni zgjidhje qytetarëve, sa e keni realizuar këtë premtim?

Asllanaj: Mendoj që kemi pasur shumë polemika nga përfaqësuesit e AAK, se a janë borxh a s’janë borxh, mirëpo gjithmonë kam konsideruar që kanë qenë borxh, sepse kanë qenë kontrata afatgjate të cilat i kanë mbetur Administratës sonë që t’i shlyej ato obligime dhe të gjitha ato obligime që kanë qenë me kontratë vetëm vitin e parë kemi arritur t’i shlyejmë… Kurse vitet 2015-2016 kanë qenë vite të pastra. Krahas këtyre borxheve që i kemi trashëguar obligimet që i kemi pasur, por edhe një pjesë e obligimeve janë nëpër gjykata, sepse janë kompanitë që kanë kryer punë pa kontrata. Ish-menaxhmenti i komunës i ka urdhëruar që t’i kryejnë punime pa kurrfarë kontrate dhe sot ne jemi në gjykatë pikërisht nga kompanitë që pretendojnë për kryerjen e obligimeve për punë që i kanë kryer pa kontrata.

EO: Kur keni ardhur në pushtet, keni deklaruar se qeverisja e mëparshme i ka pasur rreth 3 milionë euro borxh, sa keni arritur ta shlyeni këtë borxh?

Asllanaj: Krejt çka po bëjmë është që të krijojmë një infrastrukturë të mirëfilltë, e cila po i lehtëson bizneset që të funksionojnë normalisht. Fola për zonën industriale dhe për Agro-zonën që janë investime që i ka bërë komuna edhe me mjetet e veta dhe me mjetet e Qeverisë së Kosovës në mënyrë që të krijojmë një infrastrukturë të mirëfilltë, atmosfera, gjendja e sigurisë krejt këto të japin disa premisa që e bëjnë biznesin që të zhvillohet më lehtë. Këtu nuk ka klimë të shantazhit, të kërcënimit, sepse bizneset këtu ndjehen shumë rahat, shumë komod dhe mendoj që në këtë aspekt, biznesi e ndien veten shumë mirë dhe me kapacitete që ka, provon që të zhvillohet… Taksat komunale i kemi zbritur, gjatë vitit të kaluar i kemi zbritur në 10% në mënyrë që të përçojmë një mesazh se jemi pro zhvillimit të biznesit, edhe pse ato taksa komunale janë shumë të ulëta që për një kompani, e cila funksionon normalisht besoj se nuk do të ishte shumë nëse paguan 300-400 euro për një vit. Mendoj që janë disa masa lehtësuese dhe e kemi zvogëluar dukshëm burokracinë komunale. Janë krejt këto parakushte që e bëjnë biznesin të suksesshëm. Natyrisht nuk mjaftojnë këto gjithmonë duhet të përcillet politika në nivelin e Qeverisë Qendrore, ku edhe prej tyre kemi marr hapa të mirëfillta që e përmirësojnë atmosferën e biznesit në Kosovë.

EO: A është e përgatitur kjo parti për të shkuar në zgjedhje nacionale?

Asllanaj: Unë mendoj që partitë nuk do të duhej kurrë të shpreheshin se nuk janë të gatshëm për zgjedhje. Partitë janë të krijuara pikërisht për të dalë në zgjedhje. Mirëpo, momenti se kur duhet të dilet  në zgjedhje është vlerësimi i partive politike, ndoshta edhe e koalicionit qendror që kemi me PDK-në. LDK-ja gjithmonë është e përgatitur që të dalë në zgjedhje, me bindje se do të fitojë. E se çka do të ndodhë, unë mendoj se mbetet shumë për t’u punuar dhe për t’u angazhuar, dhe konsideroj karshi një klime tepër të ashpër politike që ka qenë në Kosovë, kanë mbetur shumë punë të mira pa u kryer, por është defekti më i madh që s’janë promovuar punë të mira që ka kryer kjo qeveri aktuale. Besoj që jemi të përgatitur dhe mundem të flas me plotë kompetencë për komunën e Therandës dhe konsideroj se kemi një atmosferë shumë të mirë kemi një përmbushje të obligimeve të qytetareve në masën qind për qind dhe na bënë të sigurt që nuk do të kemi probleme për zgjedhjet e ardhshme sepse, realisht jemi të fortë dhe të organizuar mirë dhe besojmë se gjithmonë LDK-ja do të jetë e fuqishme.