Fisi i Bytyçit

Shkruan: Shpat Muharremaj

Sa i përket pozitës së territorit të fisit, rajoni tradicional i fisit të Bytyçit, ndodhet në pjesën juglindore të qarkut të Tropojës në Shqipërinë verilindore, në veri të lumit Drin. Kufizohet me rajonet tradicionale të fisit të Gashit në veriperëndim, me Qafën e Luzhës dhe Krasniqen në veri dhe me Hasin në jug. Në Lindje të Bytyçit është Qafa e Prushit dhe Gjakova në territor të Kosovës.

Territori i Bytyçit së bashku me atë të Krasniqes dhe të Gashit përbëjnë atë që njihet si Malësia e Gjakovës. Ngulimet kryesore të Bytyçit, që shtrihen në një rrafsh të rrethuar me kodra të ulëta janë: Kemi, që është qendra administrative, Ҫorraj, Viliqi, Kepeneku, Leniqi, Mashi, Paci, Prushi, Visoçaj, Vladi, Zogaj dhe Zherka.

Termi Bytyçi u regjistrua për herë të parë në regjistrin e Sanxhakut të Dukagjinit, më 1571. Fjala Bytyç, thuhet se rrjedh nga arumanishtja Butiç që d.m.th. Poqar, meqë vorbat prej argjile prodhoheshin këtu.
Në regjistrimin e parë të besueshëm të popullatës në Shqipëri, më 1918 nën administratën Austro-Hungareze, statistikat për popullatën e fisit të Bytyçit, tregojnë se Bytyçi ka 354 shtëpi me gjithsej 2044 banorë. Ky fis banonte në rrethinat e Berishës, Kamës, Kepenekut, Luzhës, Pacit, Vladit, Zherkës dhe Zogajt.

 

Më 2004, Bytyçi kishte një popullatë prej 2078 banorësh, kurse më 2008 kishte 2185 banorë.
Johan Georg von Hani i cili udhëtoi nëpër Kosovë më 1858, ka shënuar gjithashtu ekzistencën e dy fshatrave të Bytyçit në luginën e Llapit afër Podujevës. Bytyç ka ende në qytetet Therandë, Gjakovë e Ferizaj dhe rrethinat e tyre.

Historia e fisit
Stërgjyshi i fisit të Bytyçit rrjedh nga Lekë Bytyçi, i cili e kishte zanafillën nga lugina e Drinit të Poshtëm, në rrethin e Komanit. Leka së bashku me njerëzit e tij u shpërngulën në një rajon në lindje që tani quhet Viliq. Lekë Bytyçi kishte tre djem: Vilin, Bibajn dhe Karlin. Vili, djali më i madh u largua nga trualli i Bytyqit dhe u vendos në rajonin e Prizrenit.

Biba i cili kishte tre djem: Martinin, Gjonin dhe Pacin, u vendos në pjesën lindore të luginës së Bytyçit, në rrethin e Rasadës dhe Pacit. Karli, djali më i vogël i Lekë Bytyqit u vendos në pjesën perëndimore të luginës së Bytyçit, afër Viliqit. Ai kishte një djalë dhe shumë vajza të cilat i martoi në fiset e Krasniqes dhe të Hasit.
Gjatë pushtimit osman, rajoni i Bytyçit i takonte tradicionalisht kazasë së Gjakovës.

Në gjysmën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe në pjesën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë (respektivisht deri më 1864), Bytyçi ishte nën zotërimin e pashallarëve Begolli të Pejës, ndërsa nga viti 1864 e deri më 1912 u bë pjesë e vilajetit të Kosovës. Pushtimi serb i këtij rajoni më 1912, pati si pasojë shkëputjen ë Bytyçit nga qyteti i tregut të Gjakovës dhe nga Peja, duke shkaktuar varfëri të madhe. Kështu, Bytyçi mbeti në Shqipëri, në anën tjetër të kufirit, ndërsa tregjet më të afërta për ta mbetën në Kosovën e pushtuar nga Serbia. Bytyqi u sulmua nga forcat serbe edhe në vitin 1913 dhe në vitin 1915 ku fshati i Qerretit u shfaros pothuajse tërësisht ku shpëtoi vetëm një burrë i cili nuk kishte qenë në fshat kur serbët kishin kryer sulmin.
Inxhinieri austriak Karl Shtainmetc, i cili e vizitoi me këmbë këtë rajon në gushtin e vitit 1903, thotë për fisin e Bytyçit se në krahasim me fqinjët më të mëdhenj si Gashi e Krasniqja, ka nam dhe autoritet të madh në mesin e dy fiseve tjera, sepse është një fis i menqur dhe i urtë.
Burimet janë marrë nga “Raporti Sekret i shërbimit të Admiraliatit të Marinës Ushtarake Angleze” dhe nga albanologu Robert Elsie.