Fabrika “BALLKAN” kur prodhonte shirita me miliona metra dhe eksportonte jashtë

“Duhet theksuar se “Ballkani” merr pjesë me 90 % në prodhimin e përgjithshëm të Jugosllavisë, si me prodhimin e shiritave transportues, ashtu edhe me rripa trapezë.” -shkruhet në librin Zhvillimi i Industrisë në Kosovë shkruar nga dr. Tahir Abdyli i botuar më 1978 nga Enti i Historisë së Kosovës.

Ndër të tjera ku dr. Tahir Abdyli shkruan për ekonominë e Kosovës tek pjesa ku shkruhet për Industrinë e Gomës thekson se “bartës i kësaj dege të industrisë në Kosovë është fabrika për prodhimin e shiritave transporues dhe i prodhimeve të tjera ‘Ballkan’ në Suharekë”, transmeton TherandaPost.

02

056

Më poshtë mund ta lexoni hulumtimin e tij, ku shkruan për fazat e zhvillimit të kësaj fabrike, prodhimin  dhe gjithashtu për eksportin në vende të ndryshme në atë kohë./therandapost.com/

Industria e gomës

Bartës i kësaj dege të industrisë në Kosovë është Fabrika për prodhimin e shiritave transportues dhe I prodhimeve  të  tjera “Ballkan” në Suharekë. Kjo fabrikë më vitin 1963 prodhoi rripat e parë që më tepër kishin karakter eksperimentues. Në fillim, në këtë fabrikë ishin të punësuar 84 punëtorë dhe prodhonte vetëm shirita transportues me brutoprodukt prej 500 milion dinarësh të vjetër në vit.

Më vitin 1968 “Ballkani” filloi të prodhojë rripa trapezikë që prodhohen sipas porosive të blerësve. Krahas zgjerimit dhe hapjes së kapaciteteve të reja në këtë fabrikë bëhet modernizimi I atyre ekzistuese. Në fazën e parë të zgjerimit të kapaciteteve finalizimi i shiritave transportues u shtua 200% dhe u krijuan kushtet për prodhimin e 300 tonëve në vit.

Kapaciteti i ndërtuar në Suharekë në prodhim të rregullt mund të japë 5 milionë metra, respektivisht 4 milion copë nga këto asortimente: rripa profilesh të ngushtë, rripa profile klasik dhe rripa ventilator.

Prodhimet e “BALLKANIT” gjithnjë janë në rritje, sidomos vërehet shtimi i shiritave transportues pasi për këto produkte janë siguruar kapacitetet afariste dhe kualitative teknike. Gjithashtu zgjerimi i kapaciteteve ekzistuese është bërë me zbatimin e presës së re për vullkanizim që startoi nga viti 1971. Kjo fabrikë lëndën e parë kryesisht e importon nga vendet e jashtme  nga Çekosllovakia, Gjermania Federale dhe Franca.

Prodhimet eksportohen, kryesisht, në Hungari, Poloni dhe BRSS. Më vitin 1975, në industrinë e “Ballkanit” ishin të punësuar 750 punëtorë, të cilët realizuan brutoprodukt prej 33 miliard dinarësh, ose për 25 miliardë më tepër se sa më vitin 1973.

“Ballkani”, për rrumbullakimin e programeve të prodhimit, në planin e vet të zhvillimit ka paraparë zgjerimin e objekteve ekzistuese dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja. Në periudhën 1976-‘80 kapaciteti i shiritave transportues do të rritet për çdo vit prej 1.500 deri 14.000 tonë. Ndërsa kapacitetet e rripave trapezoid do të rriten prej 7 milionë metrash në 25 milionë.

Në këtë periudhë kjo industri ka mundësi të zhvillohet me një tempo më të shpejtë. Nxitja kryesore për një zhvillim të këtillë është tendenca e zhvillimit më të shpejtë të minierave të thëngjillit, të termoelektranave dhe të mekanizmit tjetër transportues që shfrytëzohet për transportim të materialit të shiritit transportues të gomës së komunikacionit dhe të industrisë së automobilave, të traktorëve dhe të automjeteve të tjera.

Duhet theksuar se “Ballkani” merr pjesë me 90 % në prodhimin e përgjithshëm të Jugosllavisë, si me prodhimin e shiritave transportues, ashtu edhe me rripa trapezë.

Në kuadër të kësaj industrie do të ndërtohen në këtë plan dy fabrika të reja. Njëra prej tyre do të prodhojë pëlhurë të gomizuar për nevojat e vet industrisë dhe do të punësojë rreth 250 punëtorë, ndërsa tjetra do të prodhojë goma të automjeteve të rënda, prodhime këto që ende nuk prodhohen  në asnjë vend të Ballkanit.