Dita e Madhe

Shkruan: Prof. Besim Kuçi

Si një komb besnik, punëtor e i qytetëruar, me një vend të begatë, me një histori të civilizuar, jetonim jetën paqësisht, duke ofruar për ardhacakët strehë e mikpritje.

Por, mikpritjen tonë, e keqpërdorën bishat sllavo-otomane duke e shndërruar atë në armë të pushtimit. Nëpër shekuj populli ynë u sprovua nga sfida të mëdha, dhe nëse e keni dëgjuar thënien jam krenar që jam shqiptar, atëherë keni dëgjuar thënien më të bukur dhe më të vërtetë për ne. Si mund të mbijetoje me kaq shumë armiq? Ishte dinjiteti, morali, krenaria, sakrifica e vendosmëria që trashëguam brez-pas-brezi. Një thënie e famshme nga një njeri i famshëm apelonte “mos pyet çka bëri vendi yt për ty, por çka bëre ti për vendin tënd”, këtë, pa ndërprerë, po e bënin shqiptarët, madje me shumë dinjitet e vendosmëri!

Sot me plotë krenari festojmë 28 nëntorin, të Skënderbeut që i tha jo privilegjeve përsonale dhe ia ktheu shpatën djajve osmanllinj që vrisnin dhe merrnin peng bijtë e bijat e kombit; të Ismail Qemalit- që shpalli pavarsinë e tokave të banuara me shqiptarë të të katër vilajeteve; dhe ditëlindjen e Adem Jasharit, që ringjalli shpresën e kombit, preku ndërgjegjen e civilizimit botëror, lagu me gjakun e pastër të familjes së tij stoike, tokën e djegur nga baroti.  ”Më jepni lirinë ose vdekjen” ishte thirrja e shqiptarit, e mishëruar në qënien e heronjëve dhe dëshmorëve të kombit!

28 nëntor 1443, në Krujë, në kryeqytetin e Arbërisë, u ngrit flamuri me shkaben dykrenare në sfondin e kuq , nga i madhi e kryetrimi Skënderbe, që bashkoi kombin dhe shporri hordhitë mongolo-osmane, nga atdheu ynë për plot 25 vite. Ai poashtu shpëtoi civilizimin evropian nga këto hordhi. Osmanllinjtë e panumërt të turpëruar u thyen nga një grusht luftëtarësh të lirisë!

28 nëntor 1912, u ngrit flamuri i Skënderbeut, në Vlorë, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi e shumë luftëtarë e patriotë të tjerë mbajtën të ndriquar rrugën plot lavdi të trasuar nga rilindasit. Viti 1912 , përfaqësonte fillimin e fundit të përpjekjeve osmane për sundim në tokat shqiptare. Dobësimi i Perandorisë Osmane i shkaktuar nga kryengritjet e vazhdueshme shqiptare, po shfrytëzohej nga shtetet fqinje armike. Ambicjet e sëmura të të cilave për pushtim të tokave të begata shqiptare, i bëri bashkë ato dhe filluan “darkën e ujqërve”. Invazioni i pabesë i ushtrive të Alencës Ballkanike ndaj tokave shqiptare kishte filluar me një egërsi monstruoze. Përkundër qëndresës heroike të shqiptarëve, nuk u arrit që të mbroheshin të gjitha këto toka, më shumë se gjysma e tyre mbeti jashtë trungut amë. Për më keq Konferenca e Ambasadorëve në Londër i legjitimoi këto krime, duke ua njohur shteteve fqinje pushtimin e tokave shqiptare. Fuqitë e Mëdha evropiane, kësaj radhe, nuk ia kthyen borgjin tokës dhe pasardhësve të Skënderbeut!

28 nëntor 1955 u lind Adem Jashari, simbol i sakrificës dhe krenarisë. Veprimtaria e tij ringjalli ndjenjën patriotike dhe përgjegjësinë para atdheut. Shumë të rinj e të reja të frymëzuar nga sakrifica e familjes Jashari rrokën armët dhe filluan luftën për liri. Kjo luftë, kësaj radhe , pati mbështetjen edhe të civilizimit perëndimor, të cilët siq duket përmirësuan një gabim të vetin historik, duke na ndihmuar ta dëbojmë armikun tonë shekullor.

Krenaria, ringjallja, epopeja, sakrifica, vendosmëria, dinjiteti, liria, dashuria për atdheun janë të gdhendura me shkronja të arta në këtë ditë të madhe të kombit tonë.

Le të mbeten këto ditë të shenjta frymëzim për të gjithë ne dhe brezat që vijnë pas nesh, t’i themi ndal të keqes dhe regresit e të bashkohemi drejt sendërtimit të vlerave tona , të shtetit tonë, të shoqërisë sonë, drejt fuqizimit të shqiptarëve dhe tokave të banuara prej tyre!

Duke shprehur dëshirën që veprat e heronjve të na shërbejnë si udhërrëfyes në realizimin e plotë të amanetit të të parëve, pra bashkimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të nderuar dhe të respektuar shqiptarë kudo që ndodheni, Urime 28 nëntorin, ditën e Pavarsisë së Shqipërisë, këtë festë të madhe të kombit tonë!