Asllanaj në Raportin e Lirisë së Mediave për përjashtim të gazetarëve

Kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj është bërë pjesë e raportit të punuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës si pjesë e platformës së rajonit të Ballkanit për Lirinë e Mediave dhe sigurisë së gazetarëve.

Ai përmendet për ndalimin e dy gazetarëve: Brahim Thaçi të TherandaPost dhe Uran Haxhës së portalit Koha.net, në konferencën vjetore të tij, ku i kishte ftuar vetë, transmeton TherandaPost.

Në atë kohë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës pati reaguar për këtë shkelje të së drejtës në qasje të informatave publike, duke e dënuar aktin.

Kjo nuk i kishte bërë përshtypje Asllanajt, i cili në mbledhjen tjetër të Asamblesë Komunale, ku të gjithë anëtarët e opozitës në Suharekë dënuan aktin dhe i kërkuan kërkimfalje, ai tha se e ka bërë me qëllim aktin dhe nuk tërhiqet.

Niveli i lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve brenda këtij raporti ka lënë mjaft për të dëshiruar, pasi 78% e gazetarëve kanë pasur ndalesë për t’u qasur në dokumente dhe informacione publike nga institucionet e Kosovës.