Anarkia Socio-Ekonomike

Besim Kuçi
Besim Kuçi

Shkruan: Prof. Besim Kuçi

Shpesh herë e kisha dëgjuar me ëndje, gjatë luftës, shprehjen “me lugë të arit”! Sipas vlerësimeve të atëhershme pasuritë e mëdha nëntokësore dhe fuqia e madhe ekonomike e mërgatës shqiptare, ndihmat humanitare si dhe investitorët e jashtëm do të mundësonin zhvillimin ekonomik të Kosovës deri në atë masë sa që shumë shpejt do të ia kalonim edhe shtetit të zhvilluar Zvicrran, madje do të ushqeheshim me lugë të arit. Mjaftonte që të liroheshim nga pushtimi vrastar serb, pastaj do të vinte bollëku. Vrasjet politike të pasluftës, plaçkitjet masive institucionale që iu bënë popullit shqiptar të Kosovës, mosfunksionimi i institucioneve gjyqësore të shtetit, e shumë parregullsi tjera sikur e veniten shpresën popullore për një jetë të mirë. Dihet mirëfilli se mungesa e vullnetit për të zbatuar ligjin, i cili funksionon për interes të shumicës popullore , ka sjellur vendin në një nivel rrezikshmërie të lartë të anarkisë. Anarkia socio-ekonomike që tashmë është ulur këmbëkryq në Kosovë, po ushqehet edhe nga agjenturat e shteteve të huaja, historikisht armike, të cilat kanë interes mbajtjen sa më gjatë të kaosit.

Në anën tjetër mungesa e traditës demokratike ka shkaktuar habi në popull se kush duhet të vihet në krye të shtetit. Fraza që më së shpeshti dëgjohet nga qytetarët është “kushdoqoftë që vjen në pushtet synim kanë mbushjen e gjepave të tyre, në kurriz të popullit”. Siq duket qëllimi i atyre që kanë despotizuar Kosovën është arritur, humbjen e besimit në institucionet e vendit. Ata e varfëruan popullin, ngase një popull i varfër nuk mendon shumë për të kërkuar llogaridhënie, aq më tepër kur një pjesë e tij bie në batakun e vet të shkaktuar nga padituria duke shitur votat, me të cilat të  zgjedhurve të tyre ua mundësuan edhe legalizimin e plaçkitjes. Kësisoji klientelizmi politik ka arritur në përmasa të rrezikshme. Kjo tashmë është dëshmuar me skandalin “pronto 2”, anëtarët e së cilës të vetshpallur mbretër të pakurorëzuar, gjithmonë bazohen ndershmërisht te mjetet më të ndyta për të realizuar përfitimet e tyre të paligjshme.

Gjendja sociale është tronditur, varfërimi ka zhvendosur shtresat. Shtresa e mesme, pothuajse, në tërësi ka kaluar në shtresë të varfër, kurse e varfra në shtresën e varfërisë ekstreme, ndërsa të pasurit e paktë kryesisht janë biznismenët e  afërm të politikanëve dhe vetë politikanët. Pra klani “pronto” ka deklasuar shoqërinë kosovare. Anarkinë socio-ekonomike qartazi duket se po e ushqen edhe vet shteti, i cili është shndërruar në punëdhënësin kryesor. Klientelizmi veç tjerash ka goditur edhe pikën me nevraligjike të kombit Arsimin. Nuk e besoj se mund të gjenden në botë universitete e kolegje private e shtetërore në një shtet kaq të vogël si Kosova, në të cilat punësohen si profesorë e menagjerë, klientët partiakë. Se në qfarë nivelesh ka arritur “analfabetizmi akademik” e tregojnë rezultatet e nxënësve gjatë provimit kombëtar të  maturës. Ku edhe vetë inspektorët e ministrisë së arsimit mbyllin njërin sy gjatë kopjimit ose ndihmës që një pjesë e konsideruar e mësimdhënësve u japin nxënësve për të plotësuar testet. Kjo për të mos shpërfaqur nivelin e ulët të arsimit. Madje nxënësit me nota të ulëta, por më të zotët në kopjim shpesh kanë arritur të pranohen në Universitetet publike para atyre nxënësve të shkëlqyeshëm të cilët kanë refuzuar të kopjojnë.

Prodhimi “i kuadrove” të paditur në “perandorinë universitare” në Kosovë ka margjinalizuar dijetarët e vërtetë, të cilët janë idealistë dhe nuk funksionojnë si klientë të askujt në veprimtarinë e tyre politike dhe akademike. “Rendimentet” e larta të “perandorisë universitare” kanë shkaktuar anarki sociale. Sot lehtë mund të gjesh një të diplomuar bachelor apo master duke punuar në banak, kamarier, vozitës, në arkë, në sportel  madje edhe duke mos punuar fare. Ndërkohë që institucionet e arsimit janë lënë në gjendje të mjerueshme, për shkak të politikave elektorale, duke lënë arsimin e të gjitha niveleve si në kohën e para Luftës së Dytë Botërore, pa kabinete, pa mjete të konkretizimit, pa salla sportive e pa shumë çka tjetër. Madje në shumë raste edhe pa ngrohje.

Si asnjëherë më parë nuk më ka rastisur të dëgjoj ankesat e biznismenëve, se ky vit ka qenë akoma më i dobët se viti i kaluar. E si mund të jetë ndryshe kur edhe biznesi është goditur nga anarkia. Nuk të sheh syri tjetër pos supermarkete, dyqane, qendra tregtare, butiqe, pompa të derivateve, kompani ndërtimesh, grupe punonjësish informalë të ndërtimit, hotele, kafiteri, restorante, automekanikë, barnatore, ordinanca private, kiosqe, shitës ambulantë, lokale të lojërave të fatit, autolarje etj. Shumë prej bizneseve ankohen për shkak të informalitetit. Dikush paguan taksa e tatime e dikush jo, kurse ndërtimi pa leje i objekteve afariste biznesore, më mirë të mos përmendet. Në krejt botën konkurenca rrit kualitetitin e shërbimeve kurse në vendin tonë ndodhë e kundërta, konkurenca si rezultat i uljes pa kritere të çmimeve , ka ulur në mënyrë të pakontrolluar cilësinë e shërbimeve. Mjafton t’i hidhet një vështrim një objekti publik apo një rruge të ndërtuar me investimet e parasë publike vërehen defektet dhe cilësia shumë e dobët ndërtimit. Falimentimet, mungesa e të drejtave të punëtorëve, dëbimet nga puna, borgjet e këqija, vonesa e pagave janë bërë të zakonshme në Kosovë. Mungon prodhimtaria. E tërë kjo po ndodh si pasojë e mosplanifikimit shtetëror për politikat ekonomike. Kurse terapia e shokut biznesit dhe ekonomisë kosovare po i jepet nga remitencat e mërgimtarëve, të cilët akoma vazhdojnë të jenë hallka kryesore financiare e vendit. Kurse sa i përket lumturisë dhe gëzimit, atë vështirë ta hasësh gjetkë pos në fytyrat e atyre që kanë arritur të sigurojnë një vizë për të ikur në mërgim, kurse viteve të fundit migrimi drejt shteteve të zhvilluara perëndimore ka kapur shifra alarmante. Kosova është shndërruar në një vend ku lumturia ndalohet me “ligj”.

Rrjetet sociale në ditët e sotme po mundësojnë një vrojtim më të detalizuar të aktualitetit. Apelet për ndihma për të sëmurët me sëmundje të rënda po bëhen gjithmonë e më të shpeshta, kjo sepse shërbimet shëndetësore kanë rënë në nivelet më të ulëta. Më shumë kemi pasur siguri të vizitoheshim në një ambulancë ose  spital ushtarak të improvizuar gjatë luftës se sa në ditët e sotme në institucionet shëndetësore. Edhe për rastet urgjente mungojnë barërat esenciale. Kurse përsoneli mjekësor në përgjithësi, nuk shkon t’i jep ndihmën e parë pacientit edhe në rastet emergjente, pa përfunduar lojën e tij të nisur në smartfon ose pa ja ofruar një shumë të caktuar të hollash si ryshfet.

Kurse dukuritë negative te rinia si  përdorimi i lëndëve narkotike, alkoolit, duhanit, braktisja e shkollimit, sjelljet agresive etj, janë tepër shqetësuese. Mungesa e motivimit për të zbatuar ligjin nga të gjitha nivelet e shtetit ka rënë në pikën më të ulët. Korrupsioni tashmë ka pushtuar çdo pore të jetës në vendin tonë. Siguria ka rënë në nivelin më të ulët, nuk mund të shpëtojë ndonjë ditë pa vërejtur vozitje të çmendur nëpër rrugët lokale, vjedhjet, plaçkitjet, zhdukja e njerëzve pa gjurmë, shëtitja lirshëm e kriminelëve janë bërë të zakonshme. Me siguri për shkak të halleve dhe problemeve të shumta që vijnë si rezultat i korrupsionit institucional, kanë bërë që vëmendja ndaj parregullsive të përditshme të shmanget. Sot lehtë mund ta shohësh një fëmijë 8-9 vjeçar duke tymosur duhan lirshëm nëpër rrugë madje edhe pranë ndonjë oficeri policie të uniformuar. Policisë sikur po i vëhen prangat për shkak të  sabotimit nga gjykatat që po i lirojnë vjedhësit dhe kriminelët ordinerë  . Kurse sa i përket mbrojtjes së mjedisit jetësor, më mirë të mos përmendet. Gjithandej mund të vërehen papastërti në rrugë, nëpër hyrje të banesave kolektive, nëpër trotuare madje edhe nëpër klasë mësimi, kurse betoni po i zë vendin gjelbrimit.

Ndërsa e fundit por jo më pak e rëndësishmja janë vlerat e luftës. Nuk e besoj se mund të jetë ndonjë vend tjetër në botë në të cilin është abuzuar kaq pamëshirshëm, si në Kosovë, me vlerat sublime të luftës. Dhe për më keq, bashkëpunëtorët besnikë të këtij krimi ndaj patriotizmit janë pikërisht një pjesë e madhe e komandantëve të luftës, antarë të komisioneve vlerësuese. Po të ndodhte që numri i fryrë i veteranëve luftëtarë të ishte 2000 pra rreth 10%, nuk do të befasoheshim. Por të kalojë dyfishin kjo po që është një agresion ndaj vlerave kombëtare. Kjo qështje edhe më shumë stërkeqet kur sheh veteranë luftëtarë të vërtetë, motra e teknikë medicinalë të luftës, madje edhe invalidë të luftës që dergjen nëpër shoqata duke kërkuar të drejtën e tyre për pension apo për njohje të statusit, të dëshpëruar nga nënqeshjet cinike të falsifikatorëve. Dhe nëse rastis që ndonjë veteran është në gjendje të rëndë shëndetësore, aktivizohen shokët e vërtetë të luftës, për të mbledhur ndonjë shumë të caktuar të hollash për t’ia lehtësuar barrën e rëndë të shpenzimeve të shërimit, përkundër gjendjes së vështirë ekonomike me të cilën ballafaqohen shumica prej tyre.

Ndërkohë që idealistët e paktë të cilët mundohen të hedhin  dritë në këtë errësirë të frikshme, interpretohen si të quditshëm. Një mjek i ndërgjegjshëm izolohet, një arsimtar i devotshëm dekurajohet, një polic i përgjegjshëm  degradohet, një nxënës i zellshëm përqeshet, një student i motivuar demotivohet, një politikan i moralshëm distancohet, një gjykatës i drejtë shtrembërohet, një biznismen i rregullt varfërohet, një veteran i vërtetë injorohet. Sidoqoftë ky është realiteti objektiv faktik i krijuar, pa dyshim, nga qasja e paskrupullt subjektive, e cila doemos duhet të desubjektivizohet!

Shtetin e krijuam, të krijojmë shtetasit , kjo është një “sine qua non” e aktualitetit dhe poashtu një prioritet i ngutshëm! Një shtetas i Kosovës është po aq shtetas sa tjetri. Anarkia socio-ekonomike do të mbetet e tillë derisa të zgjasë ngurrimi jonë për ta luftuar klientelizmin dhe nepotizmin! “Njëra nga dhuratat më të mëdha të jetës, sipas Wesley Clark-ut, është mundësia të luftosh për atë që është e drejtë“! Kurse ne si popull që mezi kemi pritur të shijojmë pak liri, duhet të krijojmë mundësi të tilla në mënyrë që liria të ketë kuptim!