Aktakuzë kundër dy personave për vrasjen në Sopijë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër Xh.H dhe N.M., për shkak se kanë kryer veprën penale, vrasje e rëndë, si dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Xh.H., më datë 27 janar 2016, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin E.M., dhe e ka vënë në rrezik jetën e N.M., me qëllim të fitimit të dobisë pasurore. Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Po ashtu, i njëjti person ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi që ka mbajtur në posedim pistoletën e prodhimit “Crvena zastava” të kalibrit 7.65 mm. MOD 70 me nr. serik 59911.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari i dytë N.M., në kohën dhe vendin e njëjtë me dashje ka ndihmuar të akuzuarin Xh.H., në kryerjen e veprës penale të përshkruar si në dispozitivin e parë, çka do të thotë se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në ndihmë.