Nënë Tereza

Shkruan: Albiona Hajdari
Në Jubileun e Mëshirës, virtyti i një personaliteti zemërgjerë shkëlqen. Manteli i bardhë i saj, mbulon sakrificat e mijëra njerëzve të përvuajtur.
Shpërfaqja e rrudhave në fytyrë, shtatmadhësia, nuk ia humbin madhështinë, përkundrazi, ia shtojnë atë. Ngase, ajo u vesh me paqe.
U shndërrua në himn. Ajo kapi shancin e jetës për të ndryshuar botën. Ajo zbuloi mistere, përballoi sfida, kaloi trishtime, pranoi luftëra në zemrën e saj dhe bëri ëndërrat realitet. Ajo fitoi. Ajo jetoi për dashurinë.
Ajo dashuroi, me ndershmëri dhe sinqeritet ndihmoi njerëzit nëpër botë. Ajo dha atë që kishte më të mirë..shpirtin e saj. Ajo bëri gjëra të vogla, me dashuri të madhe.
Ajo pranoi njerëz të pastrehë, të verbër, të sëmurë, të padëshiruar, të braktisur e të refuzuar. Ajo u përkushtua butësisht, nga që ajo asnjëherë nuk deshti të ndryshojë kombet, por njerëzit, një nga një.
Ajo, Nënë Tereza, që sot shenjtërohet para botës. Mbi 100 mijë besimtarë të mbledhur në Romë për të qenë pjesëmarrës në frytet e punës së saj të pandalshme.
Sot krenohem, që kam përpara një testament. Kam mësime e porosi. Andaj sot dua të qesh, të lumturohem. Sot dua të ndjej paqe në shpirt.
Sot, dua të shpërndaj dashuri, e ndërkohë lutem që edhe ti të më bashkohesh.
“Gjej kohë për të menduar, gjej kohë për t’u lutur, gjej kohë për të qeshur.” – Nënë Tereza