“Kuunkuurrimi” në Konkursin e Komunës

Shkruan : Brahim Thaçi
Premtimin për vendin e punës, votuesi e mban mend anipse kanë kaluar 3 vite nga fushata zgjedhore. Sado që është thënë me zë të ulët, nën tymin e ndonjë ode apo ambienti tjetër, ai premtim mbahet mend dhe patjetër që rikujtohet edhe me ndonjë vizitë, në zyret tek ata që i premtuan direkt, apo tek dikush me ndikim.
“Një gjygym me çaj” në shtëpinë e atij që e dha fjalën për vendin e punës, shoqërohet në muhabete të gjata pas darkës, anipse konkursi ka rregulla, afate dhe norma ligjore.
“Ja bajmë diqysh” – thuhet me zë bindës, ngase edhe vitin e ardhshëm nga afati zgjedhor takimi rikthehet në odën ku është dhënë fillimisht fjala. Ky është vetëm një aspekt i ndërhyrjes dhe intervenimit. Tjetra gjindet thuajse gjithkund. Në telefonata, mesazhe, e kushedi far forme të shpikur nga ai që farefis e ka Drejtorin apo Kryetarin.
Edhe vota PRO, anipse mendohet KUNDËR nga asambleisti/ja në Asamblen Komunale, për vendime për buxhetin sidomos, të shumten e rasteve më praktike është apstenimi, sepse shpërblehet më pas me vendin e punës ku konkursi është veq formalitet.
Mesatarisht rreth 20 persona, të cilët i drejtohen institucionit me diplomë në duar, plotësojnë vetëm njërin nga kriteret e konkursit i cili është vetëm formal, meqë drejtimi i vëmendjes është në gjetjen e intervenimit, për ta bërë të sigurtë vendin e punës.
Skica e familjarëve të afërt me politikën, zgjerohet gjithnjë e më tepër teksa vijnë zgjedhjet. Hapsira i ipet militantëve politik të partisë në pushtet, shoqëruar me të afërmit e biznesmenëve që e financuan fushatën politike, paraprakisht dhe në të ardhmen që ta kenë të garantuar.
Kriteret ligjore janë dokumente që rregullohen krejtësisht paraprakisht, aq sa për këtë mund ta rrëfej secili prej aplikantëve. Ata me gisht tregojnë se cili është tashmë i pranuar në punë, ende pa përfunduar gjithë afati i konkurimit.
Shpesh herë ai publikohet në gazeta zyrtare, të cilat lexohen vetëm nga disa dhjetra lexues brenda krejt komunës, ndoshta jo rastësisht për ta bërë më të errët.
Informimi masiv e publik, ndodh nga ai mekanizmi që tregova më parë nga të njohurit dhe të afërtmit e pushtetit i cili shpërblen votuesit e tij.
Nëse 20 kanë konkuruar vetëm një do të pranohet. 19 të paknaqur do të rimashtrohen nga partitë opozitare me ëndërrimin, se kur të fitojmë të gjithë do të kemi vende pune. Gjithçka e rezervuar së pari vjen për të afërmit e politikës. Të tjerët janë numra që figurojnë në statistika.
Ndokush edhe mund të ankohet apo edhe të padisë e që vonesa dhe neglizhenca e gjykatave është aq e madhe sa mund të kalojnë 2 apo 3 afate konkursesh ku ti do të ballafaqohesh me atë që e ke paditë në gjykatë.
Me plotë nervozizëm cili ka lexuar deri këtu mund të pyes ku nis zgjidhja e nyjes së këtij lamshi ? Nga votuesi dhe premtuesi fillon gjithçka.
Të dy tashmë janë mekanizma, që e kanë krijuar edhe mashtrimin për njëri tjetrin po edhe dëmin më të madh, për pjesën tjetër që mbetet pa shpresë shumicën e rasteve.