Salih Zyba: Do të sjellim në Komunën e Therandës profesionalizëm, transparencë, efikasitet dhe punë

“Ju e keni parë se në Prishtinë mbi 70% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Shpend Ahmetit dhe të Komunës së drejtuar nga Vetëvendosje. Atë punë do ta bëjmë dhe në Therandë, dhe sigurisht që edhe këtu qytetarët do të mbeten të kënaqur. Ne do të sjellim në Komunën e Therandës profesionalizëm, transparencë, efikasitet dhe punë, punë e shumë punë, pa u lodhur kurrë.  ” është shprehur Salih Zyba kandidat për Kryetar të Therandës gjatë një interviste të realizuar nga TherandaPost. Ai ka theksuar gjithashtu se do të fokusohet në këtë mandat tek Arsimi, që nga ushqimi e kontrollet sistematike e deri te transparenca në përzgjedhje të stafit, shëndetësia, duke u nisur nga renovimi dhe funksionalizimi i Qendrave të Mjeksësisë Familjare e deri te rritja e efikasitetit të shërbimeve.

INTERVISTA

 

TherandaPost: Si erdhi deri te kandidimi juaj për Kryetar te Therandës ?

Salih Zyba: Kandidimi im ka qenë rezultat i bisedave e diskutimeve të vazhdueshme që i kemi pasur me qytetarët dhe me aktivistët, të cilat janë shpeshtuar shumë edhe në fushatën zgjedhore para 11 qershorit. Kanë qenë qytetarët e aktivistët që më kanë kërkuar të kandidoj, dhe strukturat e Lëvizjes më kanë mbështetur në këtë kandidim. Ne kemi vënë re se Theranda ka nevojë për ndryshim, dhe e do ndryshimin. Rritja e Vetevendosjes në krejt Kosovën tani na jep shpresë që të punojmë me një projekt të qartë e me një ekip të mirë specialistësh, për ta sjellë ndryshimin që e dëshirojnë qytetarët e Therandës. Bashkë do ta fitojmë çdo betejë për Therandën.

TherandaPost: Pse ishit i vetmi kandidat që u interesua për kandidim brenda këtij procesi, dhe si rregullohet kjo sipas statutit te Lëvizjes Vetëvendosje ?

Salih Zyba: Sipas statutit, nga momenti që shpallet i hapur afati për kandidime, i jepet mundësia cilitdo për të kandiduar. Mirëpo në rastin e Therandës, siç thashë, kemi pasur dakordësi me aktivistët dhe me mbështetësit e shumtë të Vetëvendosjes, kështu që me sa duket nuk ka pasur kandidaturë tjetër. Megjithatë, edhe kur është vetëm një kandidaturë, ajo votohet nga anëtarësia, kështu që edhe për mua ka votuar tashmë anëtarësia jonë në Therandë, dhe ma ka dhënë mbështetjen e plotë me votën e saj. Vota e anëtarësisë është hap i parë drejt fitores së votave të qytetarëve të tjerë, gjë të cilën do ta bëjmë në 22 tetor.

TherandaPost: Tash janë shtuar aktivitetet tuaja edhe në Therandë, po me Drejtorinë e Inspekcionit në Prishtinë ku jeni atje Drejtor, a po gjeni kohë të punoni ?

Salih Zyba: Gjej rastin të falënderoj gjithë bashkëpunëtorët në Komunën e Prishtinës, ku unë jam angazhuar si Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit. Puna me kryetarin Shpend Ahmeti dhe me drejtorë të tjerë të suksesshëm ka qenë një përvojë jetësore dhe profesionale të cilën ka ardhur koha ta sjellim edhe në Therandë. Ju e keni parë se në Prishtinë mbi 70% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Shpend Ahmetit dhe të Komunës së drejtuar nga Vetëvendosje. Atë punë do ta bëjmë dhe në Therandë, dhe sigurisht që edhe këtu qytetarët do të mbeten të kënaqur. Ne do të sjellim në Komunën e Therandës profesionalizëm, transparencë, efikasitet dhe punë, punë e shumë punë, pa u lodhur kurrë.

TherandaPost: Si e keni pare qeverisjen aktuale në Therandë ?

Salih Zyba : Qeverisja aktuale në Therandë karakterizohet nga mospuna e zyrtarëve, mungesa e kulturës dhe e edukatës në qasjen ndaj qytetarëve, mungesa e një programi për rregullimin e qytetit dhe afrimin e shërbimeve të nevojshme në shekullin që jetojmë, nga moszbatimi i ligjeve sipas rregullit, si edhe nga mungesa e investimeve për punësim. Në Prishtinë ne kemi pasur marrëdhënie shumë transparente e të mirë me investitorë të huaj, dhe kemi pasur disa investime të rëndësishme që kanë hapur qindra vende pune. Këtë gjë do ta bëjmë edhe në Therandë.

TherandaPost: Cilat do të jenë tri drejtimet të cilat do t’i theksoni në fushatë zgjedhore, ku ju synoni ndryshimin në Therandë ?

Salih Zyba: Gjendja në Therandë sikurse në shumicën e qyteteve të Kosovës ka nevojë për ndërhyrje të shpejtë, megjithatë ne jemi të vetëdijshëm për kompetencat dhe kohën e një mandati. Fushat në të cilat do të fokusohemi këtë mandat do të jenë arsimi, që nga ushqimi e kontrollet sistematike e deri te transparenca në përzgjedhje të stafit, shëndetësia, duke u nisur nga renovimi dhe funksionalizimi i Qendrave të Mjeksësisë Familjare e deri te rritja e efikasitetit të shërbimeve, pastaj reformimi rrënjësor i administratës përmes procesit të digjitalizmit dhe decentralizimit të shërbimeve duke e ofruar administratën më afër qytetarit e kështu duke mundësuar qasje të lehtë në dokumentet e nevojshme, poashtu transparenca absolute do të jetë një nga prioritet tona të rëndësishme.

TherandaPost: Kend e konsideroni si rival më të fuqishëm meqë tashmë janë të ditur kandidatët?

Salih Zyba : Zgjedhjet e 11 qershorit kanë treguar mundësinë e ndryshimit të vërtetë në Republikën e Kosovës, në këto zgjedhje kemi pasur rritje të jashtëzakonshme edhe ne komunën tonë, një rritje prej 130%, andaj që nga 11 qershori është thyer përgjithmonë logjika e bastioneve, qytetari është vendosur për ndryshim e kjo frymë është ende aktuale në Therandë. Ne i respektojmë kandidatët e tjerë, mirëpo nuk kemi bërë një klasifim të tillë se kë e kemi më rival. Ne së bashku me qytetarët duam ta ndërrojmë mendësinë e qeverisjes dhe jo vetëm ndryshimin e figurave udhëheqëse. Deri tani Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë shpresa për ndryshim e tani ajo është mundësia për ta bërë ndryshimin.

TherandaPost: Faleminderit për intervisten.

Salih Zyba: Gjithashtu, faleminderit dhe suksese në punë.